Stampa

Në kuadër të ditës kombëtare të fëmijëve jetimë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka shtruar një drekë bamirësie për fëmijët jetimë dhe të moshuarit e qendrës ditore të të moshuarve. Kjo drekë për 200 fëmijë jetimë dhe të gjithë të moshuarit e qendrës ditore është shtruar në ambientet e tragetit Rigels III ku është organizuar edhe një ceremoni e veçantë. Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me institutin kombëtar të integrimit jetimëve dhe kompaninë Ventouris Ferries. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Abaz Hado, drejtori i përgjithshëm i institutit kombëtar të integrimit të jetimëve Ilir Çumani si dhe shumë artistë nga më të njohurit e vendit tonë. Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se fëmijët jetimë e të moshuarit por edhe të gjithë njerëzit në nevojë kanë një vëmendje dhe përkujdesje të veçantë nga Bashkia e Durrësit që do të jetë gjithmonë pranë tyre: “Ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në Durrës dhe kalofshi një ditë sa më të bukur këtu. Bashkia e Durrësit është mjaft e ndjeshme për fëmijët jetimë dhe në përgjithësi për njerëzit në nevojë. Ne kemi qendra të fëmijëve jetimë për të cilët përkujdesemi në mënyrë të vëçantë dhe do të vazhdojmë të përkujdesemi në këtë mënyrë pasi fëmijët janë e ardhmja e këtij vendi dhe ne duhet të bëjmë çmos që edhe këta fëmijë të rriten njësoj si të gjithë fëmijët e tjerë për të kontribuar më pas për Durrësin dhe shoqërinë shqiptare. Po kështu ne kemi edhe qendrën ditore të të moshuarve ku kujdesemi duke i plotësuar të gjitha nevojat që ka kjo shtresë. Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të mbështesim dhe të përkujdesemi në mënëyrë të veçantë për fëmijët jetimë, të moshuarit dhe të gjithë njerëzit në nevojë.” Më pas kryebashkiaku Dako ka falenderuar kompaninë Ventouris Ferries që ka hapur dyert për këtë aktivitet bamirësie por edhe për aktivitete të tjera kulturore. Gjithashtu kryebashkiaku Dako ka falenderuar në mënyrë të veçantë artistët pjesëmarrës në këtë aktivitet që janë nga më të mirët në vend dhe që kryejnë vazhdimisht aktivitete bamirësie. Mesazhi në këtë ditë është të mos braktisim fëmijët dhe të moshuarit dhe ky aktivitet u krye nën moton “Shqipëria pa jetimë edhe më pranë BE” dhe sipas drejtorit të përgjithshëm të institutit kombëtar të integrimit të jetimëve Ilir Çumani kjo moto përcjell mesazhin se nuk mund të shkojmë drejt BE pa integruar plotësisht këtë pjesë të shoqërisë dhe qëllimi sipas tij është të rrisim shkallën e sensibilitetit dhe të punojmë në maksimum që këta fëmijë të ndjehen njësoj si fëmijët e tjerë.