Është zhvilluar në Durrës një takim konsultativ në lidhje me programin e zhvillimit rajonal, faza e tretë. Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha bashkive të qarqeve Tiranë, Durrës e Dibër që bëjnë pjesë në rajonin 2. Po kështu në këtë takim ka marrë pjesë edhe drejtuesi i programit të zhvillimit rajonal Carl Heller.

Programi për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri (PZhRSH) III është një përpjekje e përbashkët dhe e vazhdueshme për të mbështetur reformën për zhvillimin rajonal në Shqipëri, bashkë-financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), dhe zbatuar në partneritet me Qeverinë Shqiptare.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili është edhe kryetari i bordit të partnerëve të rajonit zhvillimor 2. Çështjet kryesore të diskutimeve ishin korniza kombëtare dhe planet rajonale të zhvillimit, programi rajonal për zhvillimin e rajoneve, procesi i hartimit të planit të zhvillimit rajonal, baza e të dhënave për programimin dhe monitorimin e ZHR-së, roli i AZHR-së, roli i bashkive dhe aktorëve të tjerë rajonalë në process etj.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se jemi të gatshëm të përmbushim misionin e Programit për Zhvillim Rajonal, që është krijimi i Rajoneve të forta, përmirësimi i potencialeve të tyre dhe krijimit të kushteve më të mira sociale dhe ekonomike për qytetarët: “Dëshiroj të shpreh si fillim gatishmërinë tonë për bashkëpunim në përmbushje të misionit të Programit për Zhvillim Rajonal, që në thelb është edhe mision i të gjithëve ne: ai i krijimit të Rajoneve të forta, përmirësimi i potencialeve të tyre dhe krijimit të kushteve më të mira sociale dhe ekonomike për qytetarët.

Mund të themi se tashmë është shkelur me sukses rruga e zgjedhjes së mënyrës se si do të adresohet Zhvillimi Rajonal i brendshëm, duke respektuar kërkesat që shtrohen nga politika evropiane e kohezionit, e zhvillimit rajonal dhe e integrimi në BE. Reforma territoriale e zbatuar në vend ishte një hap i rëndësishëm, nismë kyçe që synon të çojë drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe fuqizimin e qeverisjes vendore duke i shërbyer zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të komuniteteve në të gjithë vendin.

Pas kësaj reforme të kryer me sukses tashmë, u krijuan nga qeveria edhe Agjencitë për Zhvillim Rajonal, me mision promovimin e politikave të përbashkëta të investimeve dhe inkurajimin e modeleve të gjera bashkëpunimesh, të krijimit të partneriteteve publike-private me interes të përbashkët zhvillimi, ngritjen e rrjetëzimeve rajonale dhe ndërrajonale, zvogëlimin e dallimit ndërmjet zonave të zhvilluara me ato të pazhvilluara si dhe zbatimin e projekteve publike dhe private. Në rastin konkret, Agjencia për Zhvillim Rajonal 2, pjesë e Bordit të Partnerëve të së cilës jam edhe unë, ka kryer përgjatë dy viteve që nga koha e krijimit një rol të rëndësishëm si institucion ekspert për zbatimin dhe arritjen e objektivave për politikën e zhvillimit rajonal, si dhe ka dhënë konktributin e vet për harmonizimin dhe integrimin e faktorëve ekonomikë, socialë dhe ambientalë që synojnë një zhvillim të balancuar për Rajonin që kjo agjenci mbulon.

Bordi i partnerëve i Agjencië për Zhvillim Rajonal 2 është një organ kolegjial që miraton ndër të tjera edhe dokumentet strategjike të zhvillimit dhe axhendën e përbashkët të veprimeve për zhvillimin e Rajonit 2. Pjesë e kësaj axhende janë edhe pikat e përbashkëta të punës tonë, pra bashkive të Rajonit 2, Agjencisë dhe partnerëve që po bëjnë të mundur hartimin e Programit për Zhvillim Rajonal në Shqipëri. Kemi pasur në vëmendjen tonë përgjatë kohës që kemi bashkëpunuar me AZHR2 dhënien prioritet të projekteve që synojnë arritjen e objektivave strategjikë që rrisin kohezionin rajonal, reduktojnë pabarazitë që lidhen me përdorimin e burimeve, prodhueshmërinë dhe standardet social-mjedisore.

Në këtë drejtim mund të numërohen shumë sfida të përmbushura tashmë. Rajone të forta do të thotë një përdorim më i mirë i potencialeve që kemi, kushte më të mira sociale dhe ekonomike për qytetarët tanë, pra më shumë zhvillim dhe mirëqenie. Kjo është në bazë të punës dhe bashkëpunimit tonë. Qeveria shqiptare e ka prioritet zhvillimin rajonal dhe ka ndërmarrë një sërë masash për të investuar në mënyrë domethënëse, si në nivel kombëtar ashtu edhe rajonal, çka na ka drejtuar të gjithëve drejt objektivit kryesor që kemi: bashki të forta, rajone të zhvilluar dhe konkurrues, dinamikë dhe të pavarur.

Kjo politikë është e rëndësishme për integrimin tonë në Bashkimin Evropian dhe orientimin drejt të njëjtave parime që qëndrojnë në bazë të politikës evropiane të kohezionit. Si e tillë mbetet edhe prioritet i punës dhe bashkëpunimit tonë të përditshëm.” Qëllimi kryesor i Programit të PZhRSh-së është të zvogëlojë pabarazitë në Shqipëri duke mbështetur zhvillimin e rajoneve të forta, që ato të mund të përparojnë me potencialet e tyre dhe të ofrojnë kushteve më të mira sociale dhe ekonomike për qytetarët. 

Programi gjithashtu synon të rrisë kohezionin rajonal, të reduktojë pabarazitë në përdorimin e burimeve, rrisë produktivitetin dhe standardet sociale/mjedisore. Kjo do të shtonte efikasitetin e menaxhimit dhe do të krijojë një shoqëri më përfshirëse, me aftësi më të larta dhe vende punë më të mira si për gratë edhe për burrat.