Një grup gazetarësh i përbërë nga përfaqësues të gazetave më të mëdha të Austrisë është pritur në një takim nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Qëllimi i vizitës së delegacionit austriak ishte njohja me zhvillimet më të fundit në vendin tonë, arritjet në fushën e reformave të ndërmarra nga qeveria dhe në mënyrë të veçantë për zhvillimet në fushën e turizmit. Delegacioni austriak kryesohej nga Erhard Busek, ish zv/kancelar i Austrisë, figurë shumë e njohur në arenën ndërkombëtare dhe mbështetës i vendit tonë. Në përbërje të delegacionit ishin Georg Krauchenberg drejtor i Insitutit të Danubit dhe Evropës Qëndrore,  Gerald Schubert redaktor i gazetës Der Standard, Gerald Stoiber redaktor i ekonomisë në Salzburger Nachrichten, Christian Jentsch redaktor i Tiroler Tageszeitung, Walter Friedl zv/shef i politikës së jashtme në Kurier,  Klaus Hofler redaktor përgjegjës në Kleine Zeitung, Otmar Lahodynsky gazetar i Profil dhe Ëieland Schneider i Die Presse. Kryebashkiaku Vangjush Dako pasi i ka uruar mirëseardhjen delegacionit austriak i ka bërë një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin e turizmit duke e njohur delegacionin austriak me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin, por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja. Po kështu kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në zhvillimin ekonomik të qytetit duke i njohur miqtë austriakë me resurset ekonomike që ka Durrësi dhe theksoi se qyteti bregdetar ka çfarë tu ofrojë biznesit të huaj. Nga ana e tij Erhard Busek ish zv/kancelar i Austrisë, deklaroi se kjo vizitë do ti shërbejë promovimit të vendit tonë e veçanërisht Durrësit, në Austri kryesisht në nxitjen e interesit për turizmin por edhe nga ana e biznesit. Po kështu Busek dhe Dako kanë diskutuar lidhur edhe me çështjen e çeljes së negociatave ku Busek ka deklaruar se Austria e mbështet plotësisht Shqipërinë në këtë drejtim dhe nga ana e tij kryebashkiaku Dako ka falenderuar Austrinë për mbështetjen dhe shtoi se  hapja e negociatave është një moment historik për Shqipërinë që ndikon pozitivisht në një zhvillim të mëtejshëm ekonomik të gjithë vendit. Gazetarët austriakë i kanë bërë një sërë pyetjesh kryebashkiakut Dako lidhur me sektorin e turizmit por edhe përsa i përket sektorëve të tjerë të qytetit të Durrësit. Ata kanë deklaruar se në gazetat më prestigjioze austriake do të gjejë tashmë hapësirë promovimi i resurseve të jashtëzakonshme turistike të Durrësit dhe të të gjithë vendit tonë. Pas vizitës në Bashki delegacioni austriak ka vizituar qytetin ku është ndalur tek amfiteatri, sheshin Sfinksi në shëtitoren Taulantia etj.