Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi vizituan kroçerën “Gemini”, me të cilën mbërritën në port 699 turistë nga Turqia. Ata u pritën nga Drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së, Afrim Bakaj, i cili i njohu me disa nga ndryshimet pozitive në kalatën 5 ku ankorohen anijet e mëdha turistike. Ministri Klosi vlerësoi përgatitjet në kuadër të projektit “Smile Albania”, një instalacion i të cilit është realizuar edhe në hyrje të Terminalit perëndimor. Në mjediset e kroçerës “Gemini”, ministri Klosi dhe kryebashkiaku Dako u pritën nga kapiteni dhe drejtues të anijes, që vlerësuan veçanërisht mikpritjen në portin më të madh të vendit tonë.Klosi dhe Dako u njohën me itineraret e anijes turistike, duke kërkuar më shumë lundrime drejt porteve të vendit tonë. Mnistri Klosi shtoi se sitet turistike në disa nga qytetet historike po vizitohen nga mijëra turistë të huaj.Një ndjesi mjaft të këndshme u kanë lënë turistëve nga Turqia edhe njohja me guidat dhe fletëpalosjet turistike të vendit tonë pas zbritjes në port, nga të rinjtë e përfshirë në projektin “Smile Albania”. Më pas kryebashkiaku Vangjush Dako dhe ministri Blendi Klosi vizituan një aktivitet interesant veror i zhvilluar në shëtitoren Taulantia, "festa e akullores" një aktivitet dy ditor i cili do të kthehet në traditë në qytetin bregdetar. Në këtë aktivitet i organizuar në formë panairi kanë marrë pjesë prodhuesit më të njohur të akulloreve në Durrës dhe kësaj feste i janë bashkuar qindra qytetarë e turistë që vizitojnë Durrësin.