Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovic ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Durrësit dhe së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe ministrin e Infrastruktures dhe Energjisë Damian Gjiknuri kanë marrë pjesë në prezantimin e projektit dypalësh mes Shqipërisë e Kroacisë në lidhje  me menaxhimin e ndotjes detare dhe bregdetare për rritjen e sigurisë në dete dhe porte në përputhje me ligjin dhe politikën detare të BE-së, organizuar në portin e Durrësit. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë edhe drejtoresha e PNUD në Shqipëri Limya Eltayeb, prefekti Roland Nasto, ambasadorja kroate në vendin tonë Sanja Bujas-Juraga, drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual të Durrësit Afrim Bakaj dhe personalitete të tjerë të pushtetit qëndror e vendor. Në këtë aktivitet presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovic deklaroi se duhet “të reagojmë së bashku për të parandalur aksidentet në Adriatik dhe duke e mbrojtur mjedisin detar nga ndotja”. Në aktivitet e kanë marrë fjalën edhe ministri Gjiknuri, ambasadorja kroate Bujas-Juraga dhe drejtoresha e PNUD në Shqipëri Limya Eltayeb të cilët kanë folur mbi këtë projekt i cili synon reduktimin e riskut te ndotjeve ne mjediset detare, forcimin e kapaciteteve te aktoreve te përfshirë për t’iu përgjigjur rreziqeve mjedisore dhe teknologjike. Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastruktures dhe Energjisë dhe Ministrinë e Turizmit e Mjedisit, e kanë nisur projektin për "Menaxhimin e ndotjes detare dhe bregdetare për rritjen e sigurisë në det dhe porte, në përputhje me ligjin dhe politikën detare të BE ". Projekti i financuar nga qeveria kroate synon të zgjidhë nevojat për një platformë të koordinimit ndërinstitucional të sistemit shqiptar të gadishmërisë dhe reagimit, duke përfshirë burimet publike dhe private që do t’i përgjigjen rasteve të emergjencave, derdhjeve të naftës ose substancave të tjera të rrezikshme në mjediset detare. Aktivitetet që do të ndërmerren ne kuadër te projektit synojnë gjithashtu të përmirësojnë kuadrin ligjor kombëtar në përputhje me kërkesat e BE-s për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ne rastet e ndotjeve nga aksidente detare si rrjedhje te naftës ose substancave te rrezikshme si edhe përgatitjen e rregulloreve për zbatimin e kërkesave nga te gjitha palët përgjegjëse ne zbatimin e Planit Kombëtar te Emergjencave. Këto përpjekje te përbashkëta do të synojnë reduktimin e riskut te ndotjeve ne mjediset detare, forcimin e kapaciteteve te aktoreve te përfshirë për t’iu përgjigjur rreziqeve mjedisore dhe teknologjike te shkaktuara nga incidentet detare, derdhjet e naftës ose lëndëve te tjera te rrezikshme, duke kryer ne këtë mënyrë analizën dhe vlerësimin e strukturës legjislative dhe institucionale me synim ofrimin e rekomandimeve për përmirësime legjislative, përcaktimin e mekanizmit dhe strategjisë se reagimit, përgatitjen e Vlerësimit te Riskut te ndotjes detare, përgatitjen dhe ofrimin e programit kombëtar te trajnimit për punonjësit e Rojes Bregdetare, Mbrojtjes Civile, Doganave, Autoritetit te Portit, administratave te porteve, bashkive si dhe te institucioneve te tjera te përfshira ne sistemin kombëtar te reagimit ndaj emergjencave, duke përfshirë industrinë dhe sektorin privat. Pas këtij prezantimi presidentja kroate Grabar-Kitarovic e shoqëruar nga kryebashkiaku Dako dhe ministri Gjiknuri kanë zhvilluar një vizitë në terminalin e tregateve si dhe në anijen Oriku e cila merr pjesë në misionet e kërkim shpëtimit të NATO-s. Më pas presidentja kroate Grabar-Kitarovic, ministri Gjiknuri, kryebashkiaku Dako dhe të ftuarit e tjerë kanë marrë pjesë në një drekë pune të organizuar nga kryebashkiaku i Durrësit.