Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim drejtuesit e anijes Mircea e cila ka mbërritur në portin e Durrësit. Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të një turi vizitash miqësore që po zhvillon kjo anije edhe në porte të tjera të Mesdheut. Delegacioni përbëhej nga komandanti i anijes MIRCEA kapiten i rangut të II-të  Mircea Tarhoaca, përfaqësues i Forcës Detare Rumune kapiten i rangut të II-të  Ioan Gabriel Moise, atasheu ushtarak i Rumanisë në Tiranë kolonel  Florin Tutuianu, shefi i personelit gjerman të anijes kapiten i Rangut të II-të  Christian Richermann etj.  Anija Mircea u nis nga porti i Konstancës dhe po zhvillon një lundrim ndërkombëtar mësimor. Komandanti i anijes dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës qytet i cili i ka lënë mbresë ushtarakëve  të huaj. Më pas ata kanë diskutuar me kryebashkiakun e Durrësit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij rumun. Kryebashkiaku Vangjush Dako nga ana e tij pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës të ushtarakëve të kësaj anijeje, i ka njohur ata me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. Kryebashkiaku Dako dhe komandanti i anijes rumune kanë shkëmbyer edhe dhuratat e rastit ku komandanti i anijes rumune i ka transmetuar përshëndetjet dhe i ka dorëzuar kryebashkiakut Dako një dhuratë të veçantë nga kryebashkiaku i qytetit rumun Konstanca. Në kuadër të një programi të hartuar në bashkëpunim me forcat tona detare drejtuesit, marinarët dhe studentët e kësaj anije do të zhvillojnë një sërë vizitash njohëse në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe Krujes ndërsa janë programuar edhe takime sportive miqësore. Pas portit të Durrësit anija do të vazhdojë udhëtimin drejt Kroacisë dhe Greqisë. Ekuipazhi i anijes përbëhet nga 182 persona, përfshirë 38 studentë të Akademisë Detare “Mirça çel Bëtrën”, 43 kursantë dhe 13 instruktorë nga Gjermania, si dhe 12 kursantë nga Bullgaria, Kina, Britania e Madhe, Polonia, Turqi dhe Ukraina. Mircea është një anije me tre direkë e ndërtuar në vitin 1938 në kantierin detar të Hamburgut “Blohm und Voss” si një anije mësimore për forcat ushtarake-detare të Rumanisë. Projekti i "Mirça-s" bazohet në projektin e suksesshëm "Gorh Fok". Pas Luftës së Dytë Botërore, anija përkohësisht ndodhej në ish-BRSS, më pas iu dorëzua Rumanisë. Në vitin 1966, anija bëri riparim kapital në kantierin “Blohm & Voss”. Gjatësia e përgjithshme e anijes është 82.1 m, gjerësia 12 m dhe ka 23 vela me sipërfaqe të përgjithshme 1800 m².