Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar shkollën e re 9-vjeçare Myslim Hida në Arapaj në ditën e parë të fillimit të shkollës. Nga kjo shkollë ai ka uruar edhe të gjithë nxënësit dhe mësuesit për një vit sa më të mbarë shkollor: “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, në këtë ditë të parë të vitit të ri shkollor. Shkolla e re ishte një premtim që ja kishim bërë banorëve të kësaj zone, një premtim që e mbajtëm. Ju përgjigjëm kërkesës së mësuesve dhe komunitetit dhe sot jemi krenarë për këtë shkollë të re që kemi ndërtuar sepse është një nga shkollat më të mira të qytetit të Durrësit. Ju e meritoni këtë shkollë dhe ju uroj suksese të gjithë nxënësve dhe  mësuesve të kësaj shkolle. Përveç shkollës së re kemi ndërtuar edhe kopshtin e në këtë mënyrë i kemi krijuar të gjithë fëmijëve të kësaj zone kushte bashkëkohore për mësim. E ardhmja e qytetit dhe e vendit tonë janë fëmijët ndaj duhet të punojmë sa më shumë që tu krijojmë atyre kushte sa më të mira për të jetuar e mësuar.” Shkolla e re Myslim Hida e pranë saj edhe kopshti i ri janë ndërtuar nga Bashkia e Durrësit me një fond prej rreth 78.8 milionë lekë. Shkolla e re me rreth 400 nxënës i ka të gjitha standartet bashkëkohore, ka gjithashtu një palestër të re, sistem qëndror ngrohje dhe ftohje dhe kushte moderne për mësuesit dhe nxënësit që mësojnë aty. Për këtë sezon të ri shkollor, Bashkia e Durrësit ka ndërtuar 4 shkolla të reja, si dhe janë kryer rikonstruksione të plota e të pjesshme në 5 çerdhe e kopshte dhe në 8 shkolla 9-vjeçare e të mesme.