Është zhvilluar në njësinë Rrashbull të Bashkisë së Durrësit diskutimi publik i projektit të rehabilitimit të sistemit të ujësjellësit të zonave të Shkëmbit të Kavajës, Xhafzotaj dhe Arapaj. Ky diskutim publik u organizua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në vazhdim të procedurave të zbatimit të projekteve të Ujësjellësave Ruralë. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të zonave përfituese Xhafzotaj, Arapaj dhe zonës së Shkëmbit të Kavajës, perfaqësues të njësisë administrative Rrashbull, perfaqësues të Bashkisë së Durrësit dhe ndërmarjes së UKD. Ky projekt do të bëjë të mundur furnizimin me 24 orë ujë në ditë të rreth 17 mijë banorëve të zonave të Shkëmbit të Kavajës, Xhafzotaj dhe Arapaj. Pas përfundimit të ujësjellësit për këto zona ky sistem i ri i furnizimit me ujë do të mirëmbahet nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve e Durrësit. Cilësia e ujit do të jetë në përputhje me direktivat e Këshillit të Evropës 98/83/EC (24 orë në ditë, higjenikisht i pastër, 1,5-6 Bar, i qëndrueshëm dhe me tarifa të pranueshme sociale). Vlera e këtij investimi është rreth 2.5 milionë euro dhe punimet janë planifikuar të fillojnë në muajin shkurt të vitit 2019 dhe do të zgjasin 12 muaj.  Ekspertë të FSHZH dhe kompanisë projektuese CES prezantuan projektet duke dhënë informacion përkatës mbi projektimin, zbatimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e tyre në të ardhmen. Gjatë këtij takimi u bënë vlerësime pozitive të këtyre projekteve si dhe të bashkëpunimit të mirë ndërmjet investitorit dhe përfituesve të projektit. Me këtë projekt zgjidhet përfundimisht problemi i furnizimit me ujë të këtyre fshatrave ku nga një furnizim me ujë prej  2 orë në ditë që këto zona kanë pasur vazhdimidsht do të ndertohet një sistem i ri furnizimi duke siguruar 24 orë ujë në ditë dhe në përputhje me standarte të Bashkimit Europian që do te funksionojë dhe mirëmbahet sipas procedurave të mirë përcaktuara nga Ndërmarrja e Ujësjellësit Durrës.