Kryetari i Bashkisë së Durrësit ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të 180 studentëve të nivelit master të fakultetit të Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkiaku Dako deklaroi se ky universitet është një aset i rëndësishëm i qytetit të Durrësit: “Universiteti “Aleksandër Moisiu” është një aset shumë i rëndësishëm i qytetit. Prandaj bashkia e Durrësit do të vazhdojë ta mbështesë atë dhe ta shikojë universitetin siç e ka parë deri më sot, një partner për të implementuar projekte të përbashkëta të Komunitetit Evropian, dhe bashkëpunimi do tëvazhdojë jo vetëm me qeverisjen vendore, por edhe me biznesin, me operatorët të cilët punojnë dhe funksionojnë në Durrës sepse ne e shohim Universitetin si një mbështetje për tregun e punës. U bë 12 vite që ky universitet është krijuar dhe tashmë ai është rritur shumë falë edhe mbështetjes së qeverisjeve qëndrore e vendore. Ne shpresojmë shumë që nga ky universitet do të dalin studentë shumë të mirë, shumë të zotë, që do ta përfaqësojnë denjësisht Durrësin dhe do t’i japin një perspektivë të re këtij qyteti. Unë jam këtu për të falenderuar dhe për t’i uruar suksese të gjithë studentëve të diplomuar që tashmë do të jenë në tregun e punës. Falenderoj prindërit për sakrificat që kanë bërë për këta fëmijë, për këtë brez të ri, i cili tashmë ka momentin që t’ia shpërblejë prindërve të tyre.” Këtë vit akademik të ri  programet e studimit të ofruara nga Fakulteti i Biznesit, pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, kanë rezultuar ndër më të kërkuarat nga ana e maturantëve. Numri i maturantëve aplikantë ka qenë shumë më i lartë sesa ai i vitit të kaluar. Dekania e Fakultetit, Prof. As. Dr. Azeta Tartaraj në fjalën e saj deklaroi se çelësi i suksesit mbetet përafrimi i programeve të studimit me kërkesat që tregu i punës ka për specialistë të lartë në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe biznesit, ndërsa ka përmendur dhe hapjen e degëve të reja në nivel master dhe bachelor.