Është zhvilluar në njësinë administrative Katund i Ri diskutimi publik i projektit të rehabilitimit të sistemit të ujësjellësave për zonat: Jubë, Erzen-Sukth, Katund i Ri, Qerret, Fllakë, Sektori Rinia, Bisht Kamëz dhe Lagje e Mirditorëve. Pas dy diskutimeve të mëparshme në publik për projektet e Ujësjellësave në Rrashbull dhe Arapaj, Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizoi edhe këtë diskutim publik për ujësjellësin e Katundit të ri në Bashkinë e Durrësit. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të zonave përfituese, përfaqësues të Bashkisë së Durrësit, të ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve etj. Ky projekt do të bëjë të mundur furnizimin me 24 orë ujë në ditë të rreth 15 mijë banorëve të zonave Jubë, Erzen-Sukth, Katund i Ri, Qerret, Fllakë, Sektori Rinia, Bisht Kamëz dhe Lagje Mirditorëve. Nga një furnizim me ujë prej 2 orë në dite që këto fshatra kanë pasur vazhdimidsht do të ndërtohet një sistem i ri furnizimi duke siguruar 24 orë ujë në ditë dhe në përputhje me standarte të Bashkimit Europian që do të funksionojë dhe mirëmbahet  nga Ndërmarrja e UK- Durrës. Këto projekte rehabilitimi të ujësjellësave janë pjesë e punës që po bën Bashkia e Durrësit për të furnizuar me ujë të pijshëm pa ndëprerje të gjitha zonat e Bashkisë së Durrësit. Cilësia e ujit do të jetë në përputhje me direktivat e Këshillit të Evropës 98/83/EC (24 orë në ditë, higjenikisht i pastër, 1,5-6 Bar, i qëndrueshëm dhe me tarifa të pranueshme sociale). Vlera e këtij investimi është 5.3 milionë euro. Punimet për këtë project do të fillojnë në shkurt të vitit 2019 dhe do të zgjasin 12 muaj. Ekspertë të FSHZH dhe kompanisë projektuese CES demonstruan draft-Projektin e këtij ujësjellësi dhe pas diskutimeve dhe komenteve nga të pranishmit theksi u vu në një zbatim sa më rigoroz të këtij projekti në terren. Përfaqësuesit e UK-Durrës vlerësuan bashkëpunimin me FSHZH dhe ofruan gadishmërine e tyre për të siguruar një funksionim dhe  mirëmbajtje sipas standarteve të këtij projekti në të ardhmen.