Bashkia e Durrësit dhe Ministria e Drejtësisë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi “Për sigurimin e kuadrit infrastrukturor dhe institucional për zbatimin e masave alternative të shmangies nga ndjekja penale për të miturit në konflikt me ligjin”. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga zv/kryetari i bashkisë së Durrësit Florian Tahiri dhe zv/ministri i drejtësisë Toni Gogu në qendrën komunitare në Nishtulla. Kjo marrëveshje bashkepunimi nënshkruhet në kuadër  të zbatimit të Reformës në Drejtësi që tashmë Qeveria ka ndërmarrë,si dhe në zbatim të  Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit, i cili ka hyrë në fuqi më 1 Janar të këtij viti. Ajo konsiston në vendosjen e bashkëpunimit midis dy institucioneve për realizimin dhe mbikqyrjen e masave alternative të shmangies nga ndjekja penale dhe dënimi për të miturit në konflikt me ligjin, banorë të Bashkisë Durrës. Në sajë të këtij bashkëpunimi por edhe atij  me  Organet e Drejtësisë, Shoqërinë Civile etj, kategoria e të miturve që janë në kontakt me Ligjin do të mund të trajtohen  në  këtë Qendër apo qendra të tjera sociale, që bashkia administron. Tashmë, të miturit që kanë kryer një vepër të lehtë penale dhe jo me pasoja të rënda do të kenë mundësi të korrigjohen, këshillohen, informohem dhe udhëzohen se si mund të përmirësojnë sjelljen, se si mund të riparojnë dëmin e shkaktuar apo se si mund të pajtohen me viktimën nëpërmjet zbatimit të masave alternative të shmangies nga ndjekja penale. Në fjalën e tij nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri deklaroi se fëmijët duke qënë se janë e ardhmja e një shoqërie nga të gjithë  duhet të punohet që të rikthehen në shoqëri: “Kjo marrëveshje bashkëpunimi, për nga lloji i saj dhe rëndësia e problematikës që trajton është ndoshta më e veçanta që është nënshkruar  mes institucioneve shtetërore, pasi bëhet fjalë për të mitur që jane ne konflikt me ligjin. Fëmijët duke qënë se janë e ardhmja e një shoqërie nga të gjithë  duhet të punohet që të rikthehen në shoqëri. Pushteti vendor është aktor kyç në garantimin e  funksionimit të shërbimeve në nivel komuniteti dhe se Bashkia Durrës ka përkushtimin maksimal për mbështetjen e grupeve në nevojë me programe të përshtatshme. Gjithashtu afirmojmë vullnetin dhe vendosmërinë për të bashkëpunuar dhe kontribuar në realizimin e qëllimit të kësaj marrëveshje për të përmbushur angazhimet e ndërmarra në  kuadër të instrumenteve ndërkombëtare. Sjelljet e një fëmije, apo të një adoleshenti reflektojnë vlerat e shoqërisë, prandaj është detyra jonë më së pari si drejtues, punonjës të institucioneve shtetërore, por njëkohësisht edhe si prindër dhe pjesëtarë të kësaj shoqërie që të angazhohemi me gjithë energjitë tona, për të siguruar një sistem sa me efikas të drejtësisë për të miturit, për të rikthyer dhe rintegruar  në shoqëri. Fëmijët janë dhe do të jenë prioritet i punës tonë.” Ndërsa zv/ministri i Drejtësisë Toni Gogu theksoi: “Kur një i mitur bie në kontakt me ligjin e gjithë bota e tij tronditet. Deri dje alternativat që ne kishim ishin ose rruga, ose burgu. Sot, me gjithë angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë, shoqërisë civile, të cilën gjej rastin ta falënderoj shumë,bashkive dhe shërbimet sociale shtetërore, ne po ndërtojmë një rrjet sigurie, ku të gjithë komponentët e vuajtjes së dënimit, të mos i bëjnë më të izoluar djemtë dhe vajzat tona, të cilët për një arsye apo një tjetër në jetën e tyre ndodhen përballë ligjit. Për shkak se jeta e tyre vazhdon dhe ata duhet të rikthehen në shoqëri.”