Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar një vizitë në Qendrën e Shërbimeve Komunitare për fëmijët me Aftësi të Kufizuara ku është takuar me prindër të fëmijëve të kësaj qendre. Takimi me kryebashkiakun erdhi si një kërkesë e prindërve që marrin shërbime aty, për tu siguruar në lidhje me vazhdimësinë e qendrës. Sipas kontratës 3 palëshe të firmosur ndërmjet Bashkisë, Save the Children dhe shoqatës “Ndihmoni Jetën”, duke filluar nga janari i vitit 2019, qendra do të kalojë teresisht nën administrimin e Bashkisë Durrës. Drejtuesja e qendrës prezantoi shërbimet që ofrohen në qendër dhe arritjet e pothuaj 3 viteve pune të përkushtuar, duke krijuar një model shumë pozitiv shërbimesh. Qendra ofron shërbime me bazë komunitare për fëmijë me aftësi të kufizuar te grupmoshes 2-21 vjec, me synim arritjen e gjithëpërfshirjes së tyre në kopshte, shkolla dhe komunitet. Që nga hapja e kësaj qëndre, në tetor të vitit 2016 dhe deri tani, kanë përfituar nga shërbimet 96 fëmijë. Numri i fëmijëve që marrin shërbime në një ditë në qendër, është mesatarisht 25 fëmijë. Gjate takimit prindërit shprehën kërkesat e tyre në lidhje me ruajtjen e cilësisë dhe standarteve të shërbimeve që qendra tashmë ofron. Ata vlerësuan punën e bërë nga stafi i qendrës dhe mundësinë që kanë pasur për të marrë informacion në lidhje me problematikat e fëmijëve të tyre dhe njohjen me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Nga ana e tij kryebashkiaku Dako garantoi pjesëmarrësit në takim për vazhdimësinë e kësaj qendre: “Qendra do të vazhdojë të qëndrojë e hapur dhe bashkia do të vazhdojë ta mbështesë këtë qendër dhe do te shikojë çdo mundësi për të rritur shërbimet, strukturën dhe ambientet. Ne kemi një eksperiencë pozitive prej 11 vitesh me qendrën e të moshuarve dhe po kështu do të vazhdojmë të mbështesim edhe qendrën tuaj me buxhetin e bashkisë. Kjo qendër është një domosdoshmëri dhe ajo do të vazhdojë po njësoj punën dhe do të ruajë të njëjtat standarte shërbimesh.  Bashkia është plotësisht e angazhuar për të mbeshtetur shërbimet për personat me aftësi të kufizuar.” Kryebashkiaku Dako gjithashtu u angazhua se do të bëhet e mundur shtimi i orëve të punës për stafin part-time të qendrës. Kështu fëmijet do të mund të përfitojnë më tepër shërbime. Përvec kësaj qendre Bashkia po punon edhe për ngritjen e shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuar në njësi të tjera të Bashkisë dhe konkretisht në Manzë ku po zbatohet projekti me Qendrën e Shëndetit Mendor “Drejt Zhvillimit”, si dhe po punohet për ngritjen e një shërbimi lëvizës për zonat e lërgëta të Bashkisë Durrës.