Drejtoria e Shërbimeve Sociale, ka zhvilluar dëgjesën publike me qëllim prezantimin e projekteve, investimeve dhe shërbimeve që Bashkia ka parashikuar të zbatojë në kuadër të buxhetit afatmesëm 2019-2021, për programin “Strehimi dhe Shërbimet Sociale”.

Kështu, sipas axhendës, Dëgjesa Publike është zhvilluar në Sallën e Këshillit Bashkiak  Durrës. Në këtë takim kishte një pjesëmarrje të gjërë, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimeve Sociale, Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë, përfaqësues nga shoqëria civile, nga Shoqata e Para-Tetraplegjikeve, përfaqësues nga  studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, përfaqësues të komuniteteve vulnerabël si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Politikave të Zhvillimit në Bashkinë Durrës.

Dëgjesa Publike u hap me fjalën përshëndetëse të znj. Etleva Voci,  në Sektorin e Analizës  së  Statistikës dhe Planifikimit Afatmesëm në Drejtorinë e Politikave të Zhvillimit, e cila u ndal në qëllimin dhe rëndësinë e Dëgjesave Publike. Më pas fjalën e mori Znj. Meme Xhaferaj, Drejtore e Shërbimit Social, e cila bëri një pasqyrë të situatës aktuale, detyrave dhe përgjegjësive të pushtetit vendor sipas ligjit të ri për vetëqeverisjen vendore. Më pas, Znj. Xhaferaj prezantoi dhe informoi pjesëmarrësit mbi Planin Social që Drejtoria e Shërbimit Social ka hartuar dhe pritet të zbatojë për periudhën 2019-2021. 

Kështu, gjatë takimit, znj. Xhaferaj prezantoi më në detaje draft-buxhetin e Drejtorisë së Shërbimit Social për vitet 2019-2021. Në këtë draft planifikohet një rritje nga viti në vit i buxhetit të drejtorisë si në kuadër të skemave aktuale të ndihmës ekonomike dhe punës komunitare, ashtu edhe në ngritjen e shërbimeve të reja, për të gjitha kategoritë, siç janë shërbimet emergjente për fëmijët në situatë rruge, shërbimet komunitare për familjen në Rrashbull, dhe shërbimet alternative për personat me aftësi të kufizuar, gratë dhe moshen e tretë. Krahas buxhetit të Bashkisë, për zbatimin e këtij Plani do të ofrohet edhe mbështetja e vazhdueshme e donatorëve vendas dhe të huaj, të cilët duke bashkëfinancuar  këtë Plan do të bëjnë të mundur realizimin e projekteve të përbashkëta.

Gjithashtu, gjatë takimeve u ngriten disa çështje për diskutim, kryesisht në lidhje me ngritjen e Qendrës Rinore në qytetin e Durrësit, rëndësinë e shtrirjes së shërbimeve në njësitë e reja administrative që i janë bashkëngjitur territorit të Bashkisë Durrës, rikonstruksionin e ambjenteve të shoqatës së Para -Tetraplegjikeve, ngritjen e një qendre tjetër komunitare në Durrës të ngjashme me atë që funksionon në Nishtulla, ngritjen e një Qendre të re Ditore për të Moshuarit në një nga Njësitë Administrative te ndarjes territorial.