Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka marrë pjesë në punimet e takimit të tretë Ndërajonal i Komunitetit të “MED Green Growth” i cili ka për qëllim të analizojë rolin e hartuesve të policave lidhur me zgjerimin e konceptit të inovacionit “Green Growth” dhe pritet që të krijojë mundësinë për të shkëmbyer pika kyçe, të cilat ndihmojnë në rritjen ekonomike nga Green Growth.  Ky aktivitet i cili u zhvillua në Durrës i ofroi pjesëmarrësve një program ku më pas  janë zhvilluar diskutime mbi të ardhurat, rivitalizimin rural, zhvillimin urban, agrikulturën dhe industrinë e qëndrueshme. Ky event i organizuar në Durrës për të tretën herë shënon prezencën e një numri shumë të madh pjesëmarrësish, si autoritete kombëtare, rajonale apo lokale, kompani dhe shoqëri të ndryshme, apo edhe qendra kërkimore nga e gjithë Evropa, rajoni dhe vendi ynë. Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në fjalën e tij ka pohuar se: “Durrësi është një ndër qytetet më të rëndësishme në vend dhe si i tillë meriton gjithë vëmendjen për të qenë në të njëjtat nivele me gjithë vendet pjesmarrëse në këtë aktivitet. Ky projekt prek një nga temat më të ndjeshme të Bashkimit Evropian, temën e mjedisit, të ekonomisë së gjelbër, të asaj pasurie të madhe që Durrësi dhe Shqipëria e ka. Tek ne nuk ka industri të rëndë, ka det,male e pyje dhe këtë pasuri ne duhet ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë më tej dhe na lind si detyrë parësore ne të përzgjedhurve vendorë që menaxhojmë qytetet tona  të gjejmë një ekuilibër ndërmjet zhvillimit ekonomik, por edhe ruajtjes së mjedisit, duke i dhënë prioritet bizneseve të cilët përmirësojnë mjedisin dhe jo ato që e ndotin atë. Takime dhe aktivitete të kësaj natyre, janë një stimul më shumë për ta kthyer Durrësin në një qytet me industri  të qëndrueshme apo dhe rivitalizim të mëtejshëm të tij, për krijimin e sa më shumë zonave të gjelbërta dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve. E gjithë vëmendja e punës sonë është te qytetarët durrsakë, ashtu si kemi bërë përgjatë këtyre viteve po ashtu do të bëjmë edhe në vijim.” Misioni i “Green Growth” është që të mbështesë dhe promovojë një zhvillim të qëndrueshëm për zonat mediterrane të bazuara në inovacionin mbështetur në resurse natyrore, gjithashtu dhe të marrë në konsideratë tregun e punës duke promovuar drejtësi në shoqëri dhe punë që ndihmojnë në ruajtjen e mjedisit. Komuniteti i MED Green Growth bazohet në energji efiçente, agrikulturë të gjelbër, eko-inovacion, krijimin dhe prodhimin e zonave të gjelbërta, riciklimin dhe menaxhimin e mbetjeve dhe qytete “smart”.