Në të gjithë qytetin e Durrësit është zhvilluar një aksion pastrimi në kuadër të aksionit kombëtar “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” që është një nismë e Green Albania, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Aksioni Kombëtar “Të Pastrojmë Shqipërinë” zhvillohet ne bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë Shqiptare, Pushtetin Vendor dhe përfshirjen e vetë qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile, studentëve, komunitetin e biznesit, Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri, etj.  Edhe në qytetin e Durrësit të gjithë punonjësit e administratës, mësuesit, nxënësit dhe qytetarët kanë dalë në shumë pika duke kryer pastrimin e qytetit. Operacioni i pastrimit të Shqipërisë ka qëllimin e reduktimit të mbeturinave urbane, sensibilizimin e shoqërisë dhe institucioneve për problematikën e mbetjeve në vend dhe promovimin e një mjedisi të pastër dhe turizmi të qëndrueshëm. Në këtë aksion pastrimi në një pikë pranë zonës së Porto Romanos ka marrë pjesë edhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe prefekti Roland Nasto. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi se zona e vendgrumbullimit të plehrave në Porto Romano do të ketë një zgjidhje përfundimtare që është përfshirë në njërin nga zërat e buxhetit të sapomiratuar: “Kjo është një ditë e veçantë ku mijëra e mijëra të rinj në mënyrë vullnetare janë angazhuar në këtë aksion kombëtar për të pastruar Shqipërinë. Ne si institucion i ministrisë jemi angazhuar në këtë aksion që nuk është vetëm një ditë por vazhdon çdo ditë për të krijuar të gjitha mundësitë dhe premisat që të largojmë shkaqet nga të cilat Shqipëria bëhet pis. Kjo zonë ku ndodhemi është një zonë e ndotur dhe në jemi në prag të një aksioni të madh që do të largojë përfundimisht problematikat e ndotjes së kësaj zone që është një nga zonat më të ndotura të bregdetit siç është landfilli i Porto Romanos dhe për të realizuar këtë duhet një përpjekje e përbashkët me bashkinë, prefekturën por edhe të qytetarëve. Do të ketë një zgjidhje përfundimtare problemi i mbetjeve të Porto Romanos por kjo duhet të vazhdojë edhe me përpjekjet për të mbajtur pastër mjedisin. Buxheti i ri që u miratua në parlament në një zë të tij ka edhe ndërhyrjen për të zgjidhur problemin e Porto Romanos.Unë përgëzoj të rinjtë e lëvizjes “Të pastrojmë Shqipërinë” e cila prej disa vitesh është në këtë aktivitet por ka shumë nevojë edhe për pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve.” Kryebashkiaku Vangjush Dako nga ana e tij ka dhënë edhe një mesazh për të gjithë qytetarët e Durrësit për të kontribuar në mënyrë aktive për mbajtjen pastër të qytetit ndërkohë që theksoi se zona e Porto Romanos do të kthehet në një park të gjelbër: “Edhe bashkia e Durrësit i është bashkuar aksionit të pastrojmë Shqipërinë. Ky është një aksion pastrimi që po zhvillohet në të gjithë qytetit tonë por edhe në të gjithë vendin. Kjo nismë është shumë e rëndësishme jo vetëm pse i shërben pastrimit të qytetit por shërben për ti dhënë mesazh të gjithë qytetarëve të japin ndihmesën e tyre në këtë drejtim. Ne jemi në këtë zonë të ndotur ku edhe pse ne pastrojmë përditë sërish ndotet ndaj kërkojmë një ndërgjegjësim më të madh nga ana e qytetarëve të kësaj zone për të mbajtur pastër mjedisin. Ky pastrim nuk bëhet vetëm sot por ne e kemi dinamikë të punës së përditshme pastrimin e qytetit çdo ditë, por me këtë rast duam të sensibilizojmë qytetarët që të jenë sa më aktivë për të mbajtur pastër qytetin. Përsa i përket vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto Romano ne si bashki po bashkëpunojmë me qeverinë për të realizuar mbylljen e fushës së mbetjeve në këtë zonë. Të gjitha mbetjet do të dërgohen në vendgrumbullimin e ri në Sharrë në Tiranë dhe qeveria do të mbulojë kostot e transportit. E gjithë kjo zonë që do të kapsulohet do të kthehet në një park të gjelbër që do ti shërbejë qytetarëve dhe shpresoj shumë që ky problem të marrë zgjidhje vitin e ardhshëm.” Drejtori ekzekutiv i Green Line Albania, Ervin Shehaj theksoi se të gjithë duhet të sensibilizohen për të mbajtur pastër mjedisin: “Shqipëria ka akoma nevojë për punë, ka akoma nevojë për angazhim dhe ka nevojë për më tepër që të gjithë të sensibilizohemi dhe të ndërgjegjësohemi për të mos ndotur mjedisin. Ne ju bëjmë thirrje të gjithëve që në rradhë të parë të mos ndotim mjedisin dhe cilido nga ne aty ku punon dhe jeton të japë kontributin e vet për të pastruar sadopak. Vetëm kështu ne mund të fillojmë të ndryshojmë imazhin e Shqipërisë dhe ta bëjmë vendin tonë më të pastër.” Të gjithë ata që u angazhuan në këtë aksion pastrimi kanë dhënë mesazhin e tyre për të mbajtur një qytet të pastër për qytetarët e Durrësit dhe turistët e shumtë që vizitojnë Durrësin.