Durrësi i është bashkuar fushatës botërore “Bëje Botën Portokalli”. Në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore përpara Bashkisë së Durrësit është organizuar një aktivitet ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Aktiviteti u organizua nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me UN Women. Gjatë kësaj ceremonie është ndriçuar me dritë portokalli Bashkia e Durrësit dhe sheshi Liria si pjesë e fushatës botërore për të përkujtuar 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore. Portokallia është një ndër ngjyrat zyrtare të fushatës UNiTE (Bashkohu për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas) të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe në kontekstin e avokimit të saj global përdoret si simbol i një të ardhmeje më të ndritshme, pa dhunë ndaj grave e vajzave. Bashkia e Durrësit është një ndër qindra ndërtesa institucionesh, muzeume, ura dhe monumente të tjera që ndriçohen me portokalli nëpër botë gjatë 16 ditëve të aktivizimit. Në këtë aktivitet kryebashkiaku Dako dhe përfaqësuesi UN Women Giuseppe Belsito kanë dhënë mesazhet e tyre në kuadër të kësaj fushate. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u shpreh se bashkia e Durrësit ka qenë bashkia e parë në vend që ka hapur një zyrë për mbrojtjen e gruas: “Jam shumë i lumtur që kjo fushatë nis nga Durrësi. Për 16 ditë do të jemi pranë qytetarëve për tu sensibilizuar për këtë çështje kaq të madhe, këtë çështje që bashkia e Durrësit e ka patur prioritet që në vitin 2008 kur kemi qenë bashkia e parë që kemi hapur zyrën për mbrojtjen e gruas, zyrën kundra dhunës, zyrë e cila i shërben barazisë gjinore dhe forcimit të shoqërisë sonë dhe brezit të ri.” Përfaqësuesi i UN Women Giuseppe Belsito deklaroi se ajo që na bën me të vërtetë burra është mënyra sesi ne i nderojmë dhe i trajtojmë gratë: “Sot që kemi bërë portokalli këtë ndërtesë, ju do të jeni në vëmendjen e medias botërore. Është diçka shumë e bukur që e shohim këtë ndërtesë portokalli, por mos të harrojmë përse jemi mbledhur. Dua t’iu kujtoj që në Shqipëri çdo muaj vritet një grua si pasojë e dhunës në familje. Një në 3 gra gjatë jetës së saj jeton një nga format e dhunës, fizike, seksuale apo psikologjike. Duam të japim një mesazh për të gjithë burrat dhe djemtë këtu në qytetin e Durrësit: Ajo që na bën me të vërtetë burra është mënyra sesi ne i nderojmë dhe i trajtojmë gratë dhe jo rrahja apo fyerja e tyre.” Gjithashtu edhe pjesëmarrës të tjerë të strukturave shtetërore dhe shoqërisë civile kanë dhënë mesazhe në kuadër të fushatës dhe bashkëpunimit që kanë me bashkinë Durrës. Ky aktivitet i bashkoi të gjithë për të dhënë mesazhe kundër dhunës si dhe promovimit të barazisë gjinore. Fushata ka për qëllim ndergjegjësimin dhe nxitjen e strukturave shtetërore,të shoqërisë civile  dhe qytetarëve ,për të reaguar ndaj fenomeneve të dhunës në familje. Bashkia Durrës u angazhua të përçojë mesazhin e tolerancës zero për dhunën ndaj grave dhe vajzave. Sipas të dhënave të fundit, të paktën një grua në Shqipëri vritet çdo muaj nga dhuna në familje. Në Shqipëri më shumë se gjysma e grave shqiptare (59,4%) përjetojnë të paktën një formë dhune gjatë jetës së tyre. Këtë vit, tema e fushatës është “Orange the World: #HearMeToo” (Bëje botën portokalli: #MeDegjodheMua). Kjo është një thirrje për t’i dëgjuar dhe besuar të mbijetuarat, për t’i dhënë fund kulturës së të heshturit dhe për t’i vënë ato në qendër të reagimit. Fokusi duhet të zhvendoset nga vënia në pikëpyetje e besueshmërisë së viktimës, te vënia e abuzuesit përpara llogaridhënies. Sipas të dhënave më të fundit, nga rastet e raportuara në Shqipëri 74% e të dëmtuarve nga dhuna në familje janë gra. Me temën: Më dëgjo edhe mua, çdokush inkurajohet që të organizojë aktivitete me levizjet e grave, të mbijetuara të dhunës dhe mbrojtes së të drejtave të grave dhe të krijojnë mundësi dialogu mes aktivistëve, politikë-bërësve dhe publikut. 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore është një lëvizje shoqërore botërore për të ndërgjegjësuar dhe nxitur veprime konkrete për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Edhe në Shqipëri “16 Ditët” nisin si çdo vit në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe përfshijnë një mori veprimtarish nga individë dhe grupe shoqërore, të cilat bëjnë thirrje për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.