Save the Children në partneritet me shoqatën “Ndihmoni Jetën” dhe me Bashkinë e Durrësit organizuan ceremoninë e dorëzimit të Qendrës së Shërbimeve me bazë komunitare për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara në Durrës. Prej tre vitesh nën mbështetjen e Save the Children, kjo qendër ka ofruar shërbime falas dhe cilësore sipas nevojave për 99 fëmijë dhe të rinj me Aftësi të Kufizuara (2-21 vjec) në Durrës dhe familjet e tyre. Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë edhe Zv/Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri, Drejtori i Kabinetit të Bashkisë Durrës Lavdosh Beqiraj, drejtuesja e Save the Children Anila Meço, përfaqësues të DAR Durrës, përfaqësues të shoqatës Ndihmoni Jetën, prindër dhe fëmijë që trajtohen në qendër.

Duke filluar nga viti 2019, Bashkia Durrës merr përsipër të mbështesë funksionimin e Qendrës  dhe strukturën aktuale të stafit të Qendrës Komunitare, rritje të orëve të punës së 2 anëtarëve të stafit part-time në kohë të plotë, si dhe shpenzimet operative. Marrja në dorëzim e kësaj qendre nga Bashkia Durrës dhe angazhimi për ta vazhduar me të njejtat standarde është një shembull shumë pozitiv dhe model i suksesshëm që sjell ndryshime të qëndrueshme në jeten e fëmijëve me Aftësi te Kufizuara dhe familjeve të tyre. Zv/Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Bardhylka Kospiri deklaroi se kjo qendër është një shembull mjaft pozitiv për shërbimet ndaj këtyre fëmijëve dhe shprehu mbështetjen e ministrisë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me bashkinë e Durrësit jo vetëm për këtë qendër, por edhe për të gjitha qendrat e tjera sociale që administron Bashkia e Durrësit. Drejtori i Kabinetit të Bashkisë së Durrësit Lavdosh Beqiraj pas ceremonisë për marrjen në dorëzim të kësaj qendre deklaroi se Bashkia i ka planifikuar në buxhetin e vitit 2019 por edhe në buxhetin afatmesëm të gjitha shpenzimet e kësaj qendre. Më tej ai shtoi se kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako e ka ndjekur nga afër të gjithë aktivitetin e kësaj qendre dhe ka shprehur angazhimin maksimal të tij dhe Bashkisë së Durrësit për mbështetjen maksimale për këtë qendër në vazhdimësi. Në emër të kryebashkiakut Dako dhe Bashkisë së Durrësit, Beqiraj deklaroi se kjo qendër jo vetëm do vazhdojë me eficensë të plotë brenda standardeve të përdorura deri tani, por edhe do të kthehet në një qendër model shërbimesh dhe kapacitetesh teknike për të gjitha shërbimet e tjera në fushën e aftësisë së kufizuar në Durres dhe në Shqipëri. Save the Children do të vazhdojë të mbështesë me asistencë teknike qendrën dhe shpreson të ketë bashkëpunime të tjera po kaq të suksesshme edhe në të ardhmen me Bashkinë Durrës.