Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe drejtori i përgjithshëm i OSHEE Ardian Çela kanë qenë të pranishëm në qendrën e  zhvillimit rezidencial në Durrës ku kanë shpërndarë dhurata për fëmijët me rastin e festave të fundvitit. Kjo qendër trajton 35 fëmijë me aftësi ndryshe dhe ashtu si të gjitha qendrat e tjera ka mbështetjen maksimale nga ana e bashkisë së Durrësit deklaroi kryebashkiaku gjatë fjalës së tij:”Përfitoj nga rasti të falenderoi ndërmarrjen e OSHEE-së që zgjodhi këtë qendër për të ndihmuar këta fëmijë me aftësi ndryshe që të festojnë edhe ata si gjithë fëmijët e tjerë. Bashkia e Durrësit e ka prioritet maksimal kategorinë e njerëzve me aftësi ndryshe dhe e njërëzve në nevojë. Ne si bashki i kemi mbështetur fuqimisht dhe do të vazhdojmë ti mbështesim jo vetëm duke garantuar mbështetjen financiare por edhe duke vijuar me përmirësimin e infrastrukturës të këtyre qendrave. Përfitoj nga rasti tu uroj gëzuar festat jo vetëm kategorisë së shtresave në nevojë por edhe të gjithë qytetarëve të Durrësit, qoftë një vit sa më i mbarë për ta dhe familjet e tyre.” Kreu i OSHEE-së Ardian Çela deklaroi se kjo festë organizohet me mbështetjen e OSHEE në kuadër të projektit “Mbështet gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të kufizuar”:”Ndodhemi këtu për të festuar së bashku me 35 fëmijët dhe të rinjtë e Qendrës së Zhvillimit për personat me aftësi të kufizuar Durrës, stafin e Qendrës të cilët kujdesen me shumë përkushtim për këta fëmijë dhe të rinjtë dhe përfaqësuesit e Pushtetit vendor dhe partnerë të tjerë festën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri 2019. Kjo festë organizohet me mbështetjen e OSHEE në kuadër të projektit “Mbështet gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të kufizuar” i cili zbatohet nga Shoqata “Ndihmoni Jetën” në 3 qytete, Durrës, Tiranë dhe Vlorë dhe ka për qëllim të përmirësojë jetën e personave me aftësi të kufizuar dhe përfshirjen e tyre në komunitet. Nëpërmjet këtij projekti, OSHEE ju vjen në ndihmë rreth 300 fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara që marrin shërbime rehabilituese në 5 Qendra për shërbime sociale për fëmijë dhe të rinjë me aftësi të kufizuara në këto 3 qytete. Përvec mundësimit të kësaj feste, OSHEE nën ekspertizën e Shoqatës Ndihmoni Jetën, ka marrë përsipër gjithashtu të mbështesë rritjen e kapaciteteve të stafit profesional të Qendrës së Zhvillimit për personat me aftësi të kufizuar Durrës. Paralelisht me trajnimin e stafit, po në kuadër të projektit, do të mundësohet blerja e një seti mjetesh të nevojshme për Qendrën. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj mbështetje do të pajiset me mjete pune për dhomën e fizioterapisë, Qendra e Shërbimeve me bazë Komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuar e cila është nën administrimin e Bashkisë Durrës dhe ju ofron shërbime rreth 100 fëmijëve dhe të rinjëve me aftësi të kufizuar mendore dhe fizike.”