Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në mbylljen e punimeve të piktorëve të bienales së artit “Durrës art, biennale 2014”. Në rrugën “Doktor Margariti” pranë amfiteatrit antik, piktorë e skulptorë nga e gjithë bota kanë realizuar piktura të ndryshme murale në fasadat e banesave të vjetra të kësaj lagje si dhe skulptura të ndryshme.

Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako është takuar me artistët pjesëmarrës duke i falënderuar ata për punën që kanë bërë. Koordinatori i bienales Xhuliano Otaviani në përshëndetjen e tij e ka falënderuar kryetarin e bashkisë Dako për mbështetjen që ai iu dha artistëve që në fillim dhe shtoi se qëllimi i bienales është që ajo të kthehet në traditë dhe ata të zhvillojnë edicionin e dytë të saj vitin e ardhshëm.

Kryebashkiaku Dako nga ana e tij vlerësoi pjesëmarrjen e artistëve vendas dhe të huaj në këtë projekt duke i falënderuar ata për punën që kanë bërë: “Jemi sot këtu në përmbyllje të projektit të bienales së artit 2014, një projekt dhe inisiativë që e ndërmorëm dhe e mbështetëm që në fillim bashkë me koordinatorët e projektit. Fakti që në këtë bienale morën pjesë jo vetëm piktorë nga vendi ynë, por edhe nga e gjithë bota si Franca, Italia, Spanja dhe deri Kosta Rika e Brazili, e bën këtë aktivitet më të rëndësishëm e më me vlerë. Nga ana tjetër realizimi i këtyre punëve në këtë lagje, e cila ndodhet pranë amfiteatrit, vend që frekuentohet nga mjaft turistë të huaj, është një domethënie e madhe për zhvillimin e zonës dhe atraksion turistik. Ne do ti mbështesim edhe vitin e ardhshëm artistët që do vijnë dhe bienalen, duke përzgjedhur një vend tjetër për punimet e tyre”.

Në bienalen e artit “Durrës art, beianle 2014” morën pjesë rreth 40 piktorë dhe skulptorë nga vendi dhe bota.