TORRA VENECIANE   
Kulla rrethore (Torra), u ndërtua në shek. XV mbi kullën bizantine. Kjo dëshmohet nga prania e blloqeve nga rrethoja e mëparshme, e fragmenteve arkitektonike dhe e relieveve antike. Kulla ka diametrin 16m dhe lartësinë 9m. Në kullë hyet nëpërmjet një porte në formë harku me tulla. Kulla është e paisur me 5 frëngji dhe 3 ndarje (kthina). Perimetri sipër mbyllet me bedena. Ambienti i brendshëm është ndërtuar me tulla në formë kupole. Ngjitja në lartësi bëhet nga brenda, me shkallë të ngushta e të prjerrta.

HAMAMI MESJETAR   
Hamami (banjo) është godinë publike me arkitekturë tipike e periudhës turke. Ajo është ndërtuar në shek. XVIII në këndin juglindor të qytetit mesjetar. Në qendër ka pasur një kupolë sferike me lartësi 5.8m, pajisur me 12 dritare të vogla për ajrosje. Ambientet ngroheshin me avull nëpërmjet tubacioneve qeramikë. Furra gjendet në pjesën e prapme të hamamit. Ka qenë shumë e dëmtuar. U rikonstruktua në vitin 1980.

MUZEU ARKEOLOGJIK   
Muzeu Arkeologjik është përuruar më 13 prill 2002. mbi bazën e materialeve të Muzeut të parë arkeologjik, i hapur më 13 mars 1951.
Ekspozita është organizuar në tre pavione sipas periudhave historike. Salla e parë fillon me vitrinën e gjetjeve prehistorike në qytet e rreth. Në rend kronologjik ndiqet pandërprerje historia e qytetit në periudhën arkaike, klasike dhe qytetare ilire deri në shek.I p.e.re. Në vazhdim shpaloset zhvillimi topografik, ekonomik, politik e  kulturor i Dyrrachiumit romak. Në aspektin tematik ky qytet dëshmon praninë e një popullsie autoktone ilire me botë të pasur shpirtërore. Durrësi paraqitet qendër me ekonomi shumëdegëshe dhe që tregtonte me shumë qendra mesdhetare. Mesjeta përshinë 15 shekuj nga shek. V-XV dhe mbyllet me periudhën turke.

PUSI i TOP HANES

Emërtimi Top-Hane tregon funksionin fillestar si punishte për prodhimin e barutit. Prania e burimit të  ujit në lagjen Varosh (jasht kalasë), krijoi mundësinë e ndërtimit të një pusi në shërbim të banorëve të saj, rreth shek. XVI. Ai u ndërtua mbi një bazament  katërkëndësh me gurë, rrethuar me katër kolona graniti të periudhës bizantine të ripërdorura.


SHTËPIA MUZE    
Shtëpi me çardak e ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX. Në vitet ’30 të shek. XX ka qenë edhe seli e konsullatës angleze. Kjo ndërtesë për vlerat e saj arkitekturore është shpallur “Monument Kulture”.
Pas restaurimit të saj në vitin 1983 u vendos “Ekspozita e Kulturës Popullore”. Në tre dhoma ekspozite, shpalosen vlerat artizanale të trevës së qytetit tonë dhe të rrethinave të tij. Dy dhoma të tjera i janë kushtuar figurës së aktorit me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu (1879-1935) emërtuar “Dhoma Muze Aleksandër Moisiu”.
Në  Durrës ai kreu shkollën fillore dhe për këtë në vitin 1928, shkroi kujtimet e tij në formë skice me titull “Ëndërr  fëmijërie”.

   
XHAMIA “FATIH”   
Xhamia “Fatih”, është e kohës së sulltan Mehmeti II Pushtuesit (Fatihut). Është ndërtesa më e vjetër e kultit islam në vendin tonë. Ajo është ngritur rreth viteve 1502-1503, përshtatur mbi rrënojat e një ndërtesë kulti të krishterë (bazilikë e shek. XI).


BANKA E SHTETIT SHQIPTAR   
Banka e Shtetit në Durrës (sot BKT) u ndërtua më 10 nëntor 1928. Themelet e saj janë mbi kullën juglindore të rrethojes bizantine, e quajtur “Bastioni i madh”. Ndërtesa është projektuar nga arkitektë italianë dhe realizuar nga mjeshtrat durrsakë. Nga ana kompozicionale hyn në veprat e stilit barok, që përdorët për herë të parë në vendin tonë. Mbi bankë është vendosur një skulpturë njerëzore (grua) e cila paraqet në mënyrë simbolike luftën, rezistencën dhe fitoren ndër shekuj dhe begatinë e vendit.


PALLATI I MBRETIT “ZOG I ”     
Pallati mbretëror u ndërtua në vitin 1937. Ai u projektua në kuotën më të lartë (98m) të kodrave dhe ka një pozicion mbizotërues mbi qytet dhe det. Nga ana arkitekturore përfaqëson stilin e ndërtimit (neoklasicist) i përdorur në fillim të shek. XX.
Në fasadën ballore të Vilës është figura e kryetrimit shqiptar Gjergj Kastriot Skenderbeu, mbi kal, profil djathtas, me shpatë në dorë. 

MAUZOLEU I DËSHMORËVE
Është objekt përkujtimor i të rënëve të Luftës së Dytë Botërore dhe të kampeve naziste.
Mauzoleu u projektua nga arkitekt Kristo Sotiri (1870-1953). Punimet filluan në vitin 1947. Është i pari dhe i vetmi i këtij lloi, si mauzole, në vendin tonë. Kompleksi i “Mauzoleut të Dëshmorëve” ka planimetri në formë harku. Përbëhet nga tri pjesë kryesore: godina e Mauzoleut, shkallarja dhe lulishtja. Eshtrat e dëshmorëve janë futur në nishe (kamera) të veçanta. Kurse për të rënët në kampet naziste janë përdorur varre përkujtimor (varr pa eshtra). Në dy pllaka mermeri janë shkruar me germa bronzi emrat e të internuarve në kampet naziste.

BAZILIKA  E “SHËN MËHILLIT” ARAPAJ
Bazilika e Shën Mëhillit, është ndërtim kulti i fillimit të shek. VI, i kohës së perandorit bizantin Justinian (527-565). Ndodhet 6 km. larg Durrësit në faqen perëndimore të kodrës “Shën Mëhill”, përballë plazhit “Iliria”. Është zbuluar plotësisht dhe ka përmasa 65x28m. Nga ana arkitektonike paraqet një bazilikë tre nefshe me tre absida përkatëse. Ka dy anekse anësore në veri e jug si dhe atriumin (oborr i brendshëm me kolonada). Ngjitur me nefin jugor ndodhet një varr monumental (martirium), mbuluar me një shtresë mozaiku trajtuar në dy emblema, me subjekt nga krishtërimi i hershëm, me sipërfaqe prej 54m². Motivet e zgjedhura, figurat, teknika e punimit, gurët shumngjyrësh e klasifikojnë këtë mozaik si vepër arti unikale e periudhës bizantine e shek. VI, vepër e mjeshtrave mozaiçistë të qytetit të Durrësit.

MEMORIALI  MUJO  ULQINAKUT   
Memoriali i kushtohet Mujo Ulqinakut (1896-1939), “Hero i Popullit”, një ndër luftëtarët e parë të qëndresës së armatosur kundër pushtimit fashist italian  më 7 prill 1939. Memoriali u realizua nga “Skulptori i Popullit” Kristaq Rama.
Mujo Ulqinaku lindi në qytetin e  Ulqinit në familjen e një detari. Kishte gradën nënoficer në repartin e marinës në Durrës. Që në orët e para të pushtimit fashist italian u pozicionua në vijën e parë të luftimit. Mujo Ulqinaku dhe bashkëluftëtarët e tij, me qëndresën dhe patriotizmin e tyre treguan  trimëri të pashoq.

BASHKIA E QYTETIT   
Bashkia e qytetit u ndërtua në vitin 1929, në sheshin tradicional të Durrësit. Është projektuar me tre kate dhe bodrume. Kati i parë, në hyrje të fasadës, është trajtuar me tre harqe, ndërsa kati i dytë  mbi te është me ballkon të brendshëm me kolona. Kulmon me një pirg katror, në të majtë, ku është vendosur sahati i qytetit. Fasda është zbukuruar në të dy anët me dekore në reliev në formë medalionesh, që kanë simbolet e anijes me vela dhe tufë me kallëza gruri.
 
RRUGA TREGETARE   
“Rruga Tregtare”, sot “Bulevardi Epidamn”, u ndërtua pas dëmtimeve që shkaktoi tërmeti i vitit 1926. Me hapjen e kësaj rruge fillonte dhe zbatimi i një plani rregullues modern i qytetit të Durrësit me parametrat urbanistik të qyteteve europiane. Në të dy anët e kësaj rruge u ngritën  ndërtesa dy e tre katëshe (vila), të stilit të arkitekturës bashkëkohore, me dekor të larmishëm. Katet e sipërm shërbenin për banim ndërsa katet e para ishin për tregtim, të cilët i dhanë emrin “Rruga tregëtare”. Ato ruhen ende sot si përfaqësuese të ndërtimeve arkitekturore të viteve ’30-40 të shek. XX.

KISHA  KATOLIKE “SHËN LUÇIA”   
 Kisha katolike “Shën Luçia” me kambanore është ndërtim i vitit 1909. Paraqet një ndërtim kulti me ambientet përkatëse funksionale të tij. Kjo kishë njihet edhe si qendër e rëndësishme ku meshonte kleriku patriot Dom Nikoll Kaçorri (1862-1917). Ky personalitet me një reputacion mbarë qytetar ishte dhe nismëtar e mbështetëse i ideve të lëvizjes patriotike për mësimin e gjuhës shqipe dhe për mëvehtësinë e Shqipërisë. Në qelën e kësaj kishe mblidheshin patriotët durrsakë ku kanë marrë vendime të rëndësishme që ndikuan në ngjarjet historike siç qe ngritja e flamurit kombëtar në Durrës më 26 nëntor 1912.

ÇISTERNA MESJETARE
Çisterna apo Depo e ujit, është ndërtim i periudhës së Mesjetës së vonë. Ndodhet prapa Mauzoleut të Dëshmorëve. Uji mblidhej nga burimet natyrore të zonës kodrinore. Paraqet një ndërtim me çati të harkuar mbuluar me tjegulla, rrethohej me  kontraforte. Ka pesë shkallë hyrëse dhe një derë me qemer mbi të cilën ndodhet një dritare rrethore për ajrosje. 

BANESA 115
Banesa është ndërtuar në vitin 1884, datë e cila shkruhej me germa hekuri në gjysmëharkun e portës së madhe bashkë me inicialet Z.M. emri i pronarit Zis Margariti. Kjo banesë ka shërbyer si rezidencë e konsullatës (legata) Austro-Hungareze në vitin 1914.
KISHA “E APOSTULL PAVLIT DHE SHËN ASTIT” 
Kisha e Apostull Pavlit dhe Shën Astit u ndërtua gjatë viteve 1994-2002, u përurua më 3 Maj 2009.Apostull Pavli njihet si predikuesi i parë i fesë së krishterë në Ilirik. Në kujtim të tij ka qenë ndërtuar një kishë në skajin verior, në ”Kepin e Palit”  sot  ”Kepi i Pallës”.
Shën Astit është martir i parë, i cili u martirizua në vitin 100 të e.re. në Durrës në kohën e perandorit romak Trajan (98-117).

XHAMIA E MADHE 

Xhamia e Madhe u ndërtua në vitin 1938. Pozicioni i zgjedhur topografik me fasadë nga Lindja plotëson ansamblin e ndërtimeve publike në sheshin qendror të qytetit.
“Lëvizja kundër fesë, paragjykimeve fetare dhe zakoneve prapanike” e 6 shkurtit 1967, prishi kupolën dhe minaren e saj, dhe e transformoi në institucion kulturor, emërtuar  “Pallati Rinia”.
Pas viteve ’90 Xhamia e Madhe u rikthye në funksionin e saj si ndërtesë kulti dhe ruajti arkitekturën fillestare. Ndërtimet u kryen në dy faza gjatë viteve 1992-1994, dhe 2004-2006.

MURET  RRETHUESE  TË DURRËSIT

Durrësi që në themelimin e tij u mbrojt me mure rrethuese ndërtuar me blloqe cikllopik. Mbi këtë bazë në shekujt në vazhdim deri në periudhën qytetare-ilire dhe romake, muret e qytetit u zgjeruan bashkë me zhvillimin topografik të tij. Muret rrethuese që shihen sot, janë ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi I (491-518) me origjinë nga Durrësi pas dëmtimit që shkaktoi tërmeti katastrofik i vitit 345. Ai e mbrojti qytetin me tre rradhë muresh prej tulle, nga të cilat ruhen 500m. gjatësi në anën JP. Perimetri i rrethojes arrinte 3.5km., lartësi 18m. dhe gjërësi 3.50m. Ky sistem mbrojtës përforcohej me kulla pesëkëndëshe, me largësi 60-65m. nga njera-tjetra. Ndërhyrjet më të vona janë ato të perndorit Justinian (527-565). Në shek. XIII (1272) Karli Anzhu dhe Karl Topia në shek. XIV (1350), kryen gjithashtu përforcime mbrojtëse. Kalimi i Durrësit nën pushtimin venecian (1392-1501), për 109 vjet u shoqërua me ndërhyrje në sistemin mbrojtës, me kulla rrethore.
Pushtimi osman më 13 gusht 1501 e zvogloi qytetin në skajin JL (Lagjia Kala) duke e rrethuar me një mur 800m, 6 herë më të vogël se rrethoja bizantine. Muri turk zbret nga kuota 59m. dhe në gjatësinë e tij, u ndërtua Kulla me sahat e qytetit. Muret turke u përforcuan me kulla e bedena si dhe me dy porta kryesore vendosur në një aks, ”Porta e Madhe” dhe ”Porta e Detit”.

AMFITEATRI

Amfiteatri i Durrësit është monument publik unikal në vendin tonë. Ka qenë ndërtuar pranë qendrës tradicionale të qytetit, në terren fushor dhe pjesërisht në kodër. Vlerësohet si kolos inxhinierik e arkitektonik i kohës antike dhe vepër e mjeshtrave vendas. Ka trajtë elipsi me diametër 136m dhe lartësi rreth 20m. Është ndërtuar në fillim të shek. II të e.r., në kohën e perandorit romak Trajan (98-117). Në të uleshin rreth 15-20 mijë shikues. që ndiqnin ndeshjet midis gladiatorëve. Ka pasur hyrjen kryesore nga veriu dhe një dalje në jug në të njejtin aks. Fasada lindore nga qendra e qytetit ka qenë dykatësh me harqe e kolona dhe mbi to një strukturë dekorative me dritare. Zbulimi i arenës do të qartësoi funksionin e amfiteatrit. Lojrat në amfiteatrot antik u ndaluan nga perandori romak Honor në vitin 404 e.re. Zbulimi i amfiteatrit filloi në vtitin 1966 deri në vitin 1970. Paralel me monumentin u zbuluan varret mesjetare në zonën e arenës. Në vitet në vazhdim janë kryer disa ekspedita, të cilat i kanë plotësuar të dhënat dokumentare dhe arkitektonike mbi këtë monument.

KISHA E AMFITEATRIT  DHE MOZAIKU
   
Pas ndërprerjeve të lojrave në amfiteatër, u ndërtua rreth shek. V-VI e.r. një kishë e vogël (kapelë), ku zhvilloheshin ceremonitë fetare dhe funerale të grupimeve të krishtera të Durrësit. Fillimisht kisha ishte zbukuruar me afreske. Jetëgjatësia e saj dëshmon për ndërhyrje të mëvonshme (shek. VI-VII), duke i zbukuruar të dy faqet, jugore e perëndimore, me panela mozaikësh mural, unikal. Ky mozaik i është kushtuar Shën Stefanit, martir i qytetit të Durrësit. Në vazhdim paraqitet Shën Maria si perandoreshë bizantine rrethuar me dy engjëj, i pari me mbishkrim në krye dhe në këmbët e figurave dy shoqërues në miniaturë. Faqja perëndimore ruan fragmente të dy shenjtoreve, Shën Irini dhe Shën Sofia me emrat përkatës. Si vend strehimi i bashkësive të krishtera, ka shërbyer dhe galeria lindore, zbukuruar me afresk me figurën e Shën Gabrielit.

SHESH TREGU BIZANTIN

Shesh-tregu i periudhës bizantine është ndërtuar në qendrën tradicionale të Dyrrahut antik. Ai zinte pozicion qendror në raport me ndërtimet e mëdha publike e fetare të periudhës bizantine. Paraqitja arkitekturore e tij dëshmon funksionin e një shesh-tregu të hapur, rrethor me portik. Në qendër të shesh-tregut ka një podium dhe pus, mbi një shtroje pllakash mermeri që mbulojnë dyshemen deri pranë kolonadës me një perimetër 40m. Përreth këtij portiku në formë rrezore ngriheshin ambiente shërbimi. Teknika e ndërtimit, materiali i përdorur dhe shtresa kulturore e datojnë këtë monument si bashkëkohës të ndërtimeve publike të perandorëve Anastas e Justinian në fillim të shek. VI e.r.

TERMET   

Termet publike në qendër (poshtë Pallatit „Aleksandër Moisiu“) u zbuluan pothuajse plotësisht në vitin 1960. Nga madhësia dhe ambientet e mbrendëshme këto terme kanë qenë pjesë e gjimnazit të qytetit. Në to ruhen harqet e furrës, muret, dhe dyshemet e ambienteve. Në fillim është dhoma e apodyteriumit (dhoma e zhveshjes) që pasohet nga tepidariumi (dhoma e djersitjes) e cila ka nën dysheme tulla hipokauste për kalimin e avullit të nxehtë.  Në vazhdim në drejtim jugor është frigidariumi (dhoma me ujë të ftohtë) dhe në fund pishina. Shtrimi i dyshemes është me pllaka mermeri, bardh e zi, në formë fushe shahu. Në jugperëndim të Termeve, ndodhet kompleksi i kanaleve shkarkuese dhe mbi te rruga kryesore e periudhës romake me drejtim verior (Rruga “Aleksandër Goga“)