Në kuadër të zbatimit të Projektit PoWER, Bashkia Durrës e përfaqësuar nga kryetari i saj Zhuljen Varfaj në bashkëpunim me Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim/CDI përfaqësuar nga Krisela Hackaj, kanë marrë pjesë në Ceremoninë e Firmosjes së Marrëveshjes së Mirëkuptimit dhe Protokollit lokal ✍️, të zhvilluar në ambientet e Autoritetit Portual Durrës. Protokolli dhe Marrëveshja përcakton qartë angazhimet e palëve për promovimin në të ardhmen të burimeve të rinovueshme të energjisë për të rritur efiçencën e energjisë në institucionin e Portit Durrës. Në fjalën e tij kryetari në detyrë i Bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj deklaroi se bashkëpunimi midis bashkisë dhe portit ka qenë i vazhdueshëm: “Bashkëpunimi midis bashkisë dhe portit ka qenë i vazhdueshëm pasi Durrësi nuk mund të kuptohet pa portin e tij ⚓️. Kjo Marrëveshje Mirëkuptimi që firmosëm në kuadër të projektit PoWER, që synon transformimin e portit në një qendër inovacioni, është një mbështetje më shumë. Falë këtij projekti bashkia Durrës nxit promovimin e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë 📈 për të rritur eficençën e energjisë në Portin e Durrësit, si një model për t’u ndjekur edhe në institucione apo ndërtesa te tjera publike e private.” Palët nënshkruese të Marrëveshjes së Mirëkuptimit dhe Protokollit Lokal përveç Bashkisë së Durrësit janë edhe Autoriteti Portual Durrës, përfaqësuar nga drejtori i tij Pirro Vengu, Hekurudha Shqiptare, përfaqësuar nga drejtuesi Ani Dyrmishi, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, përfaqësuar nga Krisela Hackaj dhe Universiteti “A.Moisiu” Durrës, përfaqësuar nga Osman Metalla.