Bashkia e Durrësit ka prezantuar projektin “Përmirësimi i aksesit dhe riintegrimi i fëmijëve, të rinjve dhe familjeve të   kthyera nga migrimi, në edukim, punësim dhe shërbime sociale” (IRMA). Ky projekt do të zbatohet nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Terre des homes dhe me fondet e GIZ. Në këtë prezantim merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, drejtoresha e Terre des hommes në Shqipëri Alketa Lasku si dhe përfaqësues të shumë institucioneve qëndrore e lokale që do të angazhohen në zbatimin e këtij projekti përsa i përket qytetit të Durrësit. Në fjalën e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit vazhdon të ketë prioritet të gjitha projektet që kanë të bëjnë me shërbimet sociale: “Bashkia e Durrësit vazhdon të ketë prioritet të gjitha projektet që kanë të bëjnë me shërbimet sociale dhe në këtë rast e mbështesim këtë projekt i cili është shumë i rëndësishëm sepse është një projekt që prek fëmijët, të ardhmen tonë, të cilët kemi nevojë t’i mbështesim dhe t’i edukojmë sepse sa më të shëndetshëm të rriten ata, sa më larg fenomeneve të këqija të jenë, aq më e sigurt është e ardhmja jonë. Me Terre des Hommes kemi patur gjithmonë  bashkëpunime dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim për arsye se nga të dyja palët kemi gjetur një bashkëpunim të mirë dhe kemi patur suksese në të gjitha projektet kështu që mendoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë. Uroj që të gjithë aktorët dhe faktorët ta mbështesin këtë projekt sepse është në dobi të Durrësit, në dobi të së ardhmes së fëmijëve.” Qëllimi i këtij aktiviteti ishte prezantimi i ndërhyrjes dhe objektivave të projektit, përmes fokusit në parandalimin dhe riintegrimin e familjeve dhe fëmijëve në nevojë nga migrimi i pasigurt, duke përmirësuar kushtet e tyre të jetesës dhe aksesin ndaj shërbimeve sociale cilësore. Në këtë aktivitet u prezantuan fushat e ndërhyrjes së projektit nëpërmjet shërbimeve të integruara komunitare si dhe koordinimi me aktorët dhe institucionet lokale dhe rajonale. Projekti me vlerë rreth 1 milion euro zbatohet në 8 qytete: Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Tiranë, Lezhë, Kukës, Shkodër. Projekti IRMA është hartuar për tju përgjigjur problemeve të ndërlidhura në lidhje me migracionin dhe të kthyerit. Projekti synon të lehtësojë qasjen e të kthyerve në shërbime adekuate arsimore, punësimi dhe sociale. Fëmijët janë fokusi primar dhe përfituesit përfundimtarë të kësaj ndërhyrjeje duke qenë më vulnerabël në një lëvizje të tillë. Objektivat e projektit janë lehtësimi i ri-integrimit të familjeve të kthyera në Shqipëri duke përmirësuar qasjen e tyre në punësim, shërbimet sociale dhe nevojat e tjera për jetën e jetuar në dinjitet. Projekti ka objektiv edhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve, organizatave të shqoërisë civile dhe institucioneve komunale në mënyrë që të mundësohet riintegrimi i plotë i fëmijëve dhe familjeve të kthyera. Objektiv tjetër i këtij projekti është rritja e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve në nivel të shoqërisë civile dhe institucioneve të qeverisjes vendore në ofrimin e shërbimeve cilësore për të kthyerit.