Ekipi durrsak i basketbollit Goga Basket i cili do të ndeshet në finale të kampionatit kombëtar me Teutën në një derbi plot emocione është pritur në një takim nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Në këtë takim merrnin pjesë të gjithë basketbollistët e Goga Basket me trajner Melzin Lazimi, bordi drejtues i akademisë Goga Basket si dhe presidenti i ekipit Perikli Goga. Goga Basket është një ekip privat që luan e stërvitet në ambientet moderne të pallatit të ri të sportit që është në pronësi të Goga Basket. Ky ekip që përfaqëson Durrësin sezonin e kaluar ishte kampion në kategorinë e parë ndërkohë që në këtë sezon debutoi në superiore ku ka arritur një sukses të madh teksa do të ndeshet në finale për titullin kampion kombëtar kundër ekipit të Teutës. Pavarësisht se Teuta është ekipi zyrtar i Bashksië së Durrësit kryebashkiaku Dako deklaroi se konkurenca midis dy ekipeve të basketbollit të qytetit, atij që varet nga Bashkia dhe atij privat i ka bërë mirë sportit duke e ngritur basketbollin durrsak në majat e basketbollit kombëtar. Kryebashkiaku Dako deklaroi mbështetjen e tij jo vetëm për basketbollin por për të gjitha sportet në Durrës ndërkohë që premtoi se ekipi fitues i titullit kampion në basketboll, ku në finale do të ndeshen dy ekipe durrsake, do të marrë një premio speciale nga ana e bashkisë.  Nga ana e tyre drejtuesit e akademisë Goga Basket dhe basketbollistët e ekipit i kanë dhururar kryebashkiakut Dako një top basketbolli firmosur nga të gjithë lojtarët ndërkohë që kapiteni i ekipit Thano i ka dhuruar kryebashkiakut fanelën e tij. Presidenti i ekipit Perikli Goga e ka njohur kryebashkiakun Dako edhe me punën e mirë që bëhet me ekipet zinxhir ku qindra të rinj e të reja luajnë dhe stërviten në ambientet moderne të Akademisë Goga Basket.