Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në mbledhjen e task forcës së turizmit në Durrës ku ishin të pranishëm edhe ministri i turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi, prefekti i Durrësit Roland Nasto dhe të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që kontribuojnë në mbarëvajtjen e sezonit turistik. Në fokus të diskutimeve në këtë aktivitet ishte ndarja e detyrave, njohja e përgjegjësive dhe evidentimi i problematikave të vitit 2018, me qëllim zgjidhjen e tyre që ky sezon i ri turistik të jetë më i pastër, cilësor dhe i sigurtë. Ministri Klosi kërkoi nga institucionet përgjegjëse marrjen e masave në mënyrë që të kemi një sezon turistik sa më të suksesshëm. Sipas tij, inspektorati i mjedisit dhe turizmit, por edhe autoritetet e tjera përgjegjëse, përfaqësues të Task Forcës së Turizmit dhe aktorët lokalë, duhet të shtojnë numrin e kontrolleve, për t’i paraprirë problematikave. Nga ana e tij kryebashkiaku Dako i njohu të pranishmit me masat që ka marrë bashkia e Durrësit për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe vlerësoi bashkëpunimin me të gjitha institucionet e tjera. Ndër të tjera kryebashkiaku Dako theksoi: ”Bashkia e Durrësit i ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen sa më të mirë të sezonit turistik. Të gjitha ndërmarrjet e varësisë dhe infrastruktura përkatëse janë në dispozicion për të patur një sezon të suksesshëm. Në fund të muajit Qershor do të ketë përfunduar i gjithë pastrimi i ujrave të zeza edhe në zonën e qytetit ku po përfundon kolektori kryesor i cili do të mbledhë ujërat e zeza të lagjes nr. 1 dhe do t’i çojë në stacionin e pompimit dhe më pas në atë të pastrimit të ujrave të zeza. Ky është një investim dhe një risi e re për këtë vit në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, edhe në zonën e Gjirit të Lalëzit ka përfunduar sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm, ndërtimi i impiantit të pastrimit të ujrave të zeza dhe e gjithë infrastruktura për të bërë investime dhe turizëm në atë zonë. Shpresoj që bashkëpunimi i frytshëm me institucionet edhe këtë vit të vazhdojë. Instituconet si ISKSH, Spitali, institucionet e shëndetësisë por edhe të gjitha institucionet e tjera janë në lartësinë e duhur dhe kemi një bashkëpunim mjaft të mirë. Burimet njerëzore kanë qenë dhe janë çdo ditë në krye të detyrës dhe besojmë se do të arrijmë sukses edhe këtë sezon turistik.”