Stampa

Kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako, ka ndërmarrë një nisëm për pastrimin e qytetit ku e gjithë administrata e Bashkisë dhe e ndërmarrjeve në varësi janë shpërndarë në të gjithë Durrësin më qëllim pastrimin e qytetit por edhe sensibilizimin e qytetarëve që ta mbajnë sa më pastër atë. Më pas ka inspektuar edhe të gjithë zonat e tjera të qytetit që pastroheshin nga ndërmarrjet në varësi.

Kryebashkiakja Sako deklaroi se pastrimi i qytetit është detyrë e bashkisë por edhe qytetarët duhet të japin kontributin e tyre:

“Para së gjithash doja të falënderoja të gjithë punonjësit e bashkisë, që iu përgjigjën thirrjes për t'i bërë një pastrim qytetit por kjo nisëm ka edhe qëllim sensibilizimi që qyteti ynë të jetë i pastër dhe i pranueshëm jo vetëm për Durrësin, por edhe për turistët.

Pastrimin e qytetit ne e kemi pjesë të punës sonë të përditshme por me këtë nisëm duam të sensibilizojmë të gjithë qytetarët sepse mbajtja pastër e qytetit është detyrim për të gjithë."

Në kuadër të kësaj nisme ndërmarrja “Rruga” me mjetet e saj të rënda ka pastruar zonën pranë kampusit universitar, ndërmarrja UKD ka pastruar sektorin Rinia, ndërmarrja e shërbimeve komunale është shpërndarë në pika të ndryshme të qytetit ndërsa ajo komunale plazh së bashku me zjarrfikësit në të gjithë zonën e plazhit, administrata e kulturës dhe sportit në zonën pranë stadiumit ndërkohë që ajo arsimore pranë spitalit, administrata e bashkisë në shëtitoren Taulantia dhe në zonën e Currilave etj. Kjo nisëm për pastrimin e qytetit është përkrahur edhe nga qytetarët e Durrësit.