Stampa

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka marrë pjesë në aktivitetin: ‘’Të drejtat, mbrojtja dhe mundësitë për integrimin e  fëmijëve dhe të rinjve në shoqëri’’organizuar nga Bashkia e Durrësit, organizata Terre des hommes dhe Qendra Komunitare Multifunksionale Nishtulla. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte përfundimi sezonal i kampit veror 2 javor ‘’Ishulli i thesarit’’ të mbështetur financiarisht përmes projektit IRMA “përmirësimi i aksesit dhe riintegrimi i fëmijëve e të rinjve dhe familjeve të kthyera nga migrimi në edukim, punësim dhe shërbime sociale” financuar nga qeveria gjermane në bashkëpunim me GIZ Albania/DIMAK Albania, të Terre des Hommes dhe organizatës Nisma Arsis dhe Qendrës Komunitare Multifunksionale Nishtulla. Në këtë event u promovuan edhe shërbimet e ofruara në Bashkinë Durrës për mbrojtjen dhe integrimin e  fëmijëve dhe të rinjve në shoqëri si dhe rritja e ndërgjegjësimit në komunitet për aftësitë dhe rëndësinë e zhvillimit të gjithanshëm të fëmijëve e të rinjve. 

Në fjalën e saj përshëndetëse kryebashkiakja Sako deklaroi se fëmijët janë e sotmja dhe e ardhmja e shoqërisë dhe si rrjedhim çdokush nga institucionet, organizatat por dhe vetë komuniteti kanë detyrim të kontribuojnë për të përmbushur nevojat e tyre.  Si nënë e dy fëmijëve dhe si kryetare e Bashkisë ajo theksoi se gjatë punës do të vazhdojë të eksplorojë më thellë nevojat, dhe do ti mbështesë gjithmonë qytetarët për gëzimin e të drejtave përmes shërbimeve dhe politikave të Bashkisë. Ajo theksoi se Qendra Komunitare Multifunksionale Nishtulla është një institucion i rëndësishëm që jep shërbime të integruara në komunitet, dhe do të ndihmojë fuqishëm në përçimin dhe adresimin e nevojave të komunitetit të zonës. 

Aktivitetin e përshëndetën edhe Alketa Lasku, drejtore kombëtare e organizatës Terre des Hommes dhe Ana Majko drejtore e organizates Nisma për ndryshim shoqëror-ARSIS, dy organizata të cilat aktualisht  janë duke zbatuar projekte pranë Qendrës Komunitare Multifunksionale Nishtulla në mbështetje të riintegrimit të të rikthyerve nga emigrimi nëpërmjet punësimit, arsimit dhe shërbimeve sociale, si dhe fuqizimin, përmirësimit të aksesit dhe ofrimit të një arsimi parashkollor cilësor.  

Meme Xhaferraj drejtore e shërbimeve sociale Durrës foli mbi shërbimet që ofron Bashkia si dhe mbi integrimin që ka sjellë kampi veror ''Ishulli i thesarit 2019'' për 76 fëmijët dhe familjet e tyre në nevojë. Femijë dhe prindër përfitues të kampit  sollën perceptimet dhe përvojen e tyre në këtë kamp.

Në këtë takim kanë përshëndetur edhe përfaqësues të Prefekturës Durrës, NJVKSHP, ZRP dhe organizatës Albarom.

Aktiviteti gjithashtu i shërbeu rritjes së ndërgjegjësimit në komunitet/institucione/organizata për aftësitë dhe rëndësinë e zhvillimit te gjithanshëm të fëmijëve dhe të rinjve.