Eshtë çelur në Durrës Panairi Ndërkombëtar i Librit Shqip “DurrësScript”, i cili zhvillohet për të katërtin vit rradhazi në shtëtitoren bregdetare të qytetit.  Ai është një nismë e shoqatës kulturore “Durana”, nismë e cila mbështetet nga Bashkia e Durrësit dhe këtë edicion, edhe nga Ministria e Kulturës. Në këtë Panair marrin pjesë rreth 65 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Italia, Rumania, Anglia etj. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka qenë e pranishme në hapjen e panairit ku merrnin pjesë edhe prefekti i Durrësit Roland Nasto, deputeti Roland Xhelilaj etj. Kryebashkiakja Sako deklaroi se ky është një ndër aktivitetet më të rëndësishme kulturore të qytetit: “Përveç aktiviteteve me karakter lokal e kombëtar Durrësi është kthyer edhe në një qendër të aktiviteteve ndërkombëtare kulturore njëri prej të cilëve është edhe Panairi Ndërkombëtar i Librit. Ky panair është në edicionin e katërt të tij dhe interesi i shtëpive botuese shqiptare por edhe të atyre që kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë është i madh e po kështu edhe i lexuesve durrsakë por edhe atyre që vizitojnë Durrësin pasi ky panair e ka arritur qëllimin që ta çojë librin sa më pranë lexuesit në mënyrë që të vazhdohet tradita e leximit të librave. Unë jam një lexuese e rregull dhe i përkas një brezi që ka lexuar shumë. Vlerësoj shumë këtë panair dhe përgëzoj shoqatën Durana që e organizon atë.  Brezit të ri që duket se sa vjen e lexon më pak do të doja ti bëja një thirrje nga ky panair, të lexojnë sa më shumë dhe të marrin mesazhet që përcjellin këta libra. Ky panair është ndër aktivitetet më të mira kulturore të qytetit. Bashkia e Durrësit i jep mbështjetje këtij eventi për vlerat e rëndësishme që ai mbart. Ky aktivitet është tashmë një traditë në qytetin tonë dhe ne do të vazhdojmë ta përkrahim me qëllim që qytetarët të kenë mundësinë që të afrohen sa më shumë me librin. Libri është një shok i përjetshëm, që të shoqëron në çdo hap të veprimtarisë tënde.” Njëri prej organizatorëve të panairit dhe kreu i shoqatës “Durana” poeti dhe botuesi Aqif Hysa deklaroi se ashtu si edicionet e kaluara edhe këtë edicion ka disa risi: “Duhet nënvizuar fakti që në këtë panair, përveç shtëpive botuese marrin pjesë edhe shoqata e ente të tjera botuese, të cilat i japin Panairit larmi tematike, pasi aty gjen libra artistikë, shkencorë, profesionalë, shkollorë, të mësimit të gjuhëve të huaja etj. Nga Greqia marrin pjesë dy shoqatat kulturore, si “Drita” dhe “LiterArt”, të cilët janë kthyer në promotorë të kulturës e letrave shqipe në emigracion, nga Italia, autorët më në zë përfaqesohen  me stendën e tyre nepërmjet konfederatës FINAI etj. Nga viti në vit Panairi ka pasuar rritje si në pjesëmarrje, në cilësi, në zhvillim takimesh e bashkëbisedimesh me krijues e personalitete të letrave, por edhe si vizitorë. Njerëzit duhet të lexojnë sa më shumë sepse ata që e adhurojnë të lexuarit janë pikërisht ata që sjellin përmirësim të shoqërisë.” Panairi vizitohet nga 45 mijë deri në 50 mijë vizitorë në çdo edicion. Si dhe në edicionet e kaluara, edhe këtë vit janë rreth 800 tituj të rinj librash, të botuar enkas për katë panair. Qarkullojnë mesatarisht 6.000 deri 10.000 tituj librash në çdo edicion të këtij panairi.