"Venë dhe verë" - festa lokale në Golem mblodhi bashkë dhjetëra kantina të zonës së Shqipërisë së mesme dhe qindra turistë të cilët degustuan shijen e verës shqiptare. I pranishëm në këtë festë ka qenë ministri i Turizmit dhe i Mjedisit,  Blendi Klosi, kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako, kryebashkiaku i Kavajës Redi Kraja dhe prefekti Roland Nasto. Ministri Klosi deklaroi se të tilla aktivitete tregojnë se në Shqipëri mund të bëhet turizëm potencial, që prodhon ekonomi, para e punësim, por edhe oferta të ndryshme turistike. Ministri Klosi apeloi tur operatorët që të shtojnë ofertën turistike duke përfshirë të gjitha festat lokale në paketat e tyre për turistët e huaj.  Pasi vlerësoi mirëadministrimin e sezonit veror nga bashkitë Kavajë dhe Durrës, ministri Klosi u kërkoi drejtuesve lokalë që të shndërrojnë këto festa në traditë. Ministri Klosi tha se këto biznese janë gjithashtu dëshmi e suksesit të programit të qeverisë për agroturizmin. Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako theksoi se këto festa janë nisma që bëjnë ndryshimin vit pas viti në mënyrën sesi kemi zgjedhur të bëjmë turizëm në vendin tonë. Sako deklaroi se Durrësi është një destinacion i preferuar nga turistët për shumëllojshmërinë e turizmit që qyteti ynë ofron.Festat lokale janë mundësi e mirë e prezantimit e produktit shqiptar te turistët e huaj, por edhe  një ofertë e shtuar për ta. Kantinat e shumta të ngritura në zonën e Durrësit dhe të Kavajës përfaqësojnë një agroturizëm, dhe ky biznes do të jetë e ardhmja e turizmit në këtë zonë. 

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Kavajës Redi Kraja u shpreh se kjo festë gjeneron pozitivitet te turistët ndaj do të mbështetet nga kjo bashki edhe në vitet e ardhshme. “Venë dhe Verë Fest ”e shndërroi pedonalen e Golemit në një hapësirë festive duke tërhequr turistët e shumtë që pushojnë në këtë zonë. Kantinat prezantuan produktet më të mira, të cilat u vlerësuan nga turistët e huaj, të surprizuar nga larmia e etiketave shqiptare dhe cilësia e verës së ofruar.