“Akullore si dikur” mblodhi në sheshin ”Liria” të qytetit bregdetar të Durrësit qindra pushues,  turistë të huaj e banorë të moshave të ndryshme, të cilët shijuan akulloren durrsake, të njohur prej vitesh për shijen e saj unike. Po kështu një vend të veçantë në këtë panair kishte edhe mjalti në vijim të promovimit të produkteve vendase ndërkohë që në një eklran gjigand të vendosur në shesh shfaqeshin pamje nga mënyrat e prodhimit të akullores nga pastiçerët durrsakë. Në këtë event tradicional merrte pjesë kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako, ministri i turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi, prefekti Roland Nasto, kryebashkiaku i Kavajës Redian Krali etj. Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako çmoi rikthimin e traditës si një mundësi për të organizuar disa festa gjatë vitit me qëllim promovimin e produkteve të qytetit te turistët e huaj: “Çdo panair ka rëndësinë e vet. Duke qenë që Durrësi e ka traditë akulloren përse këto tradita të mos i kthejmë në ditë të vecanta në sezonin veror. Durrësi është një qytet turistik dhe pse jo turistët të mos e provojnë shijen e akullores durrsake. Këto tradita do t’i shtrijmë në të gjithë vitin për të patur sa më shumë festa tradicionale jo vetëm për promovimin e prudukteve por edhe të takohemi me njëri tjetrin, me qytetarët dhe pushuesit.” Ministri Klosi tha se prania e madhe e njerëzve dëshmon suksesin e rikthimit të traditës nëpërmjet festave lokale dhe se shpreson që vit pas viti ajo të shndërrohet në një mundësi për të promovuar pasticerinë e famshme të qytetit me produktet tipike të zejtarëve durrsakë: “Ky shesh i mbushur plot me familjarë, me fëmijë, me të moshuar të cilët provojnë një traditë të vjetër të Durrësit është shprehja më e mirë e suksesit të festave lokale dhe e rikthimit të traditës. Shpresoj shumë që vit pas viti kjo të kthehet në një festë për të promovuar të gjitha ëmbëlsirat e Durrësit që mbahet si një nga qytetet më të mira që prodhon pasticerinë në vend. Sot kemi shumë turistë që vizitojnë stendat e panaireve tona në të gjithë Shqipërinë por kjo festë e Durrësit është shumë specifike pasi ka të bëjë me akulloren që është një produkt 100% i prodhuar nga zejtarët e qytetit. Me bashkinë e Durrësit, me bashkitë e tjera do të vazhdojmë të promovojmë të gjthë gjërat që prodhojnë energji pozitive për turizmin shqiptar pasi e kemi shumë të nevojshme që ky sezon dhe të tjerët që do të vijnë të mbushen me alternativë për ofertën turistike të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.” Festa lokale janë alternativa për oferta turistike ndaj ministri Klosi  siguron mbështetjen dhe bashkëpunimin me të gjitha bashkitë në vend, për të promovuar këto festa të cilat ai i vlerëson si energji pozitive për turiznin shqiptar. “Akullore si dikur” vijon edhe gjatë ditës së diel . Festa lokale që ka protagonist, akulloren e njohur të Durrësit shënon këtë vit edicionin e dytë, duke risjellë për brezat e vjetër e të rinj, por edhe për turistët e huaj që vizitojnë qytetin bregdetar, shijen unike të këtij produkti lokal.