Kryebashkiakja Valbona Sako në një takim me disa nxënëse me idetë e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit 

Një takim emocionues me tre vajza të vogla durrsake dhe nxënëse shumë të mira. 

Duke dëgjuar me vëmendje prej tyre idetë që ato kanë për qytetin parë nga këndvështrimi i një fëmijë. 

Mona e cila jeton në Zvicër por vjen në Durrës për pushime ngriti problemin e pastrimit, të diferencimit të mbetjeve ashtu siç janë në vendin ku ajo jeton si dhe problemin e qenve endacakë. 

E informova se puna për pastrimin e qytetit vazhdon me intensitet dhe se po punojmë për një projekt për të diferencuar mbetjet ndërkohë që po studiohet edhe gjetja e një zgjidhjeje të përhershme për qentë endacakë. 

Nga ana tjetër duhet që edhe vetë qytetarët të japin kontributin e tyre për ta mbajtur pastër qytetin sepse për pastrimin duhet të kontribuojmë të gjithë bashkë. Me nismën që tashmë kemi filluar “Ne pastrojmë ju mbani pastër”.

Anja ngriti shqetësimin e një shtëpie të braktisur që ndodhet pranë banesës së saj ku dëshironte të pastrohej ai vend dhe të ngrihej një kënd lojërash, dëshirë e një vogëlusheje të cilës mu desh ti shpjegoja problemin e pronësisë ndërkohë që e sigurova se do të ngrihen kënde lojërash dhe hapësira të gjelbërta në territoret në pronësi të Bashkisë. 

Ndërsa Esteri, nxënëse e shkollës Qemal Mici ngriti problemin e infrastrukturës së shkollës së saj që do të zgjidhet shumë shpejt nga ana e Bashkisë Durrës ndërkohë që në emër të nxënësve të kësaj shkolle ajo përmendi gjithashtu nevojën e një kryqëzimi pranë shkollës Qemal Mici ku nuk ka siguri gjatë kalimit të nxënësve. 

Shumë shpejt do të merren masa edhe në bashkëpunim me policinë rrugore për zgjidhjen e këtij problemi të nxënësve. 

Një takim ku këto vajza të vogla treguan një përgjegjshmëri qytetare të lartë, më folën për probleme që na shqetësojnë të gjithëve dhe  që të gjithë bashkë duheti ti zgjidhim për të mirën e qytetit tonë. Një takim i bukur dhe mjaft i veçantë që zbukuruan një ditë intensive pune.