Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka zhvilluar një takim me ambasadorin japonez në vendin tonë, Makoto Ito. 

Ambasadori japonez Ito pasi e ka ururar për detyrën kryebashkiaken Sako ka biseduar me të një sërë temash lidhur me bashkëpunimin midis dy vendeve: 

“Durrësi është një qytet mjaft i rëndësishëm. Unë vij e vizitoj shpesh dhe e kam promovuar Durrësin duke ftuar turistët japonezë ta vizitojnë qytetin tuaj. Jam i bindur që do të kemi një bashkëpunim mjaft të mirë ku shumë shpejt do të fillojë një program grantesh si mbështetje e qeverisë japoneze e po kështu shpresojmë që të nxisim edhe biznesin japonez për të investuar në Durrës dhe besoj se për këtë do të kemi hapa konkretë së shpejti.” 

Nga ana e saj kryebashkiakja Sako e ka  njohur ambasadorin japonez me historinë dhe mundësitë që ofron qyteti i Durrësit veçanërisht në sektorin e turizmit dhe atij ekonomik: 

“E vlerësoj vizitën tuaj në Durrës dhe më vjen mirë që ky ishte një takim konkret për të thelluar bashkëpunimin. Synimi ynë është afrimi i sa më shumë bizneseve për të investuar në qytetin tonë.Durrësi është një qytet i rëndësishëm për ekonominë e vendit me portin më të madh dhe më me rëndësi në Shqipëri dhe rajon. Më vjen mirë që bashkëpunimi ynë do të sjellë projekte që i shërbejnë qytetit të Durrësit.”

Në fund të takimit kryebashkiakja Sako i ka dhuruar ambasadorit japonez edhe një nga simbolet e qytetit, Torra Veneciane, e punuar në mënyrë artizanale.