Në qendrën e shërbimeve komunitare për fëmijë me aftësi të kufizuara, u bënë bashkë përfitues të shërbimeve të qendrës, përfaqësues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të institucioneve lokale, për të shprehur edhe njëherë angazhimin e përbashkët ne ofrimin e shërbimeve cilësore për fëmijët me aftësi të kufizuara në Durrës.

Në aktivitet mori pjesë kryetarja e Bashkisë Valbona Sako, përfaqësues të shërbimit rajonal shendetësor, përfaqësues të Bashkisë Durrës, përfaqësues të organizatës World Vision dhe qendrave të tjera që ofrojnë shërbime në fushën e aftësise së kufizuar, prindër dhe fëmijë përfitues të shërbimeve të Qendrës.

Ky takim përkon me 3 vjetorin e hapjes së kësaj qendre dhe fillimin e vitit të ri shkollor. Nga 70 fëmijët që aktualisht përfitojnë shërbime në qendër, 48 frekuentojnë shkollat dhe kopshtet. Kryetarja e Bashkisë ne fjalen e saj rikonfirmoi edhe një herë angazhimin maksimal të Bashkisë së Durrësit për të mbështetur shërbimet për personat me aftësi të kufizuara. -“Bashkia Durrës, si edhe më parë do të vazhdojë të  mbështesë fëmijët me aftësi të kufizuara” –tha ajo. “ Dua të bëj një falenderim të vecantë për stafin e qendrës, mësuesit dhe prindërit e  këtyre  fëmijëve, të cilët punojnë cdo ditë me përkushtim për të plotësuar nevojat e tyre”

Perfaqësuesit e rrjetit të bashkëpunëtorëve që morën fjalën shprehën angazhimin e tyre për të mbështetur familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara.  

Prindërit dhe familjarët e fëmijëve  u shprehën të kënaqur nga shërbimet e ofruara dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes ofruesve të këtyre shërbimeve. Qendra e sherbimeve komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara ka filluar funksionimin në shtator 2016, sipas një marrëveshjeje të përbashkët ndërmjet Bashkise së Durrësit dhe organizatës Save the Children. Qendra ofron shërbime për fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara të grupmoshës 2-21 vjec. Shërbimet e ofruara, përvec satyre direkte për fëmijët, kanë në fokus të gjithë familjen duke informuar familjarët në lidhje me problematikat e fëmijëve të tyrë, të drejtat dhe legjislacionin në lidhje me PAK. Nga kjo qendër kanë përfituar rreth 100 fëmijë dhe familjet e tyre.