Në ditën e parë të shkollës kryetarja e bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka vizituar shkollën artistike “Jan Kukuzeli” për të përshëndetur nxënësit në fillimin e vitit të ri shkollor. Kjo shkollë është kthyer tashmë në një hapësirë mësimi të standarteve europiane falë investimit të qeverisë në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit. Kryebashkiakja Sako në fjalën e saj pasi ka uruar të gjithë nxënësit për një vit të mbarë shkollor u shpreh se Bashkia e Durrësit e ka si prioritet përkujdesjen ndaj nxënësve: “Një vit i mbarë për të gjitha ciklet e shkollës, dhe për të gjithë nxënësit, në radhë të parë për klasat e para, që nisin një udhëtim sa të bukur po aq dhe të vështirë. Shpresoj ta realizojnë me sukses. E filluam me shkollën “Jan Kukuzeli” për shkak të veçorisë që ka si shkollë, që na krijon artistët e së ardhmes. Dua ti siguroj nxënësit, prindërit e tyre dhe të gjithë qytetarët e Durrësit që Bashkia e ka prioritet të punës së saj kujdesin maksimal ndaj fëmijëve duke u krijuar atyre kushte sa më bashkëkohore në institucionet parashkollore dhe shkollore.” Nxënësit e shkollës artistike Jan Kukuzeli kishin përgatitur edhe një koncert instrumental me këtë rast. Më pas kryebashkiakja Sako ka vijuar vizitën edhe në shkolla të tjera të qytetit të Durrësit.
Kryebashkiakja Valbona Sako uron nxënësit, në ditën e parë të mësimit, nga shkolla artistike Jan Kukuzeli
- Detaje
