“Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, Bashkia e Durrësit i është bashkuar nismës në ditën botërore të pastrimit. E gjithë administrata e Bashkisë dhe ndërmarrjet në varësi së bashku me pjesëtarët e “Green Line Albania”, e cila përfaqëson Let’s do it World Movement, organizata botërore e pastrimit të mjedisit, janë shpërndarë në të gjithë qytetin me të njëjtin qëllim por edhe sensibilizimin e qytetarëve që ta mbajnë sa më pastër atë.

Në këtë aksion ndërkombëtar ka marrë pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako e cila deklaroi se pastrimi i qytetit është detyrë e bashkisë por edhe qytetarët duhet të japin kontributin e tyre: “Sot është dita botërore e pastrimit. Në këtë kuadër me të gjithë punonjësit e bashkisë kemi dalë për të pastruar qytetin. Unë u kam bërë thirrje edhe të gjithë qytetarëve për të na u bashkuar me qëllim të kemi një qytet të pastër dhe do të doja që ata të na bashkoheshin jo duke na parë por duke marrë pjesë edhe ata sepse qyteti është i të gjithëve e po kështu mbajtja pastër e tij është detyrim për të gjithë.”

Ky aksion u zhvillua në të njejtën ditë në 157 shtete të ndryshme të botës. Shqipëria renditet në vendin e 3-të të kësaj lëvizje falë punës së bërë në 6 vitet e fundit si pjesë e Let’s do it World duke treguar një model suksesi për shtetet e tjera anëtare të kësaj lëvizje. Bashkia e Durrësit dhe të gjitha institucionet e tjera lokale dhe qendrore janë bashkuar në këtë ditë me Green Line Albania për një qëllim final, Një Planet më të Pastër.

Në kuadër të kësaj dite ndërkombëtare pastrimi ndërmarrja “Rruga” me mjetet e saj të rënda ka pastruar zonën pranë kampusit universitar, ndërmarrja UKD ka pastruar sektorin Rinia, ndërmarrja e shërbimeve komunale së bashku me administratën e bashkisë është shpërndarë nga Ura e Dajlanit, përgjatë rrugës paralel me murin e portit, stacioni i trenit dhe në pika të ndryshme të qytetit ndërsa ajo komunale plazh në të gjithë zonën e plazhit dhe Shkozetit, administrata e kulturës dhe sportit, arsimit, biblioteka dhe zjarrfikësit në zonën pranë stadiumit etj.