Bashkia Durrës, si anëtare e Forumit të Vendeve të Adriatikut dhe Jonit (FAIC), i bashkohet Eventit të madh të lojrave rinore që zhvillohet në Ancona në datat 27-30 Shtator 2019. Ky Event organizohet nga Bashkia e Ankonës (Comune di Ancona) dhe nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit ANIMUS “Adriatic IoNIan GaMes for Social inclusion”.

Sportistët durrsakë i bashkohen sportistëve te 16  shteteve  (29 qytete) të Rajonit Adriatiko-Jonian dhe rajonit të Baltikut dhe Danubit. Durrësi, në këtë Event të rëndësishëm sportiv, përfaqësohet nga 71 atletë të rinj (të lindur në vitet 2003 dhe 2004) të cilët vijnë nga 8 disiplina të ndryshme sportive si Basketboll (femra dhe meshkuj), Futboll (meshkuj), Hendboll (meshkuj), Atletikë (femra dhe meshkuj), Vaterpol (meshkuj), Beach Volley (femra dhe meshkuj), Tenis (femra dhe meshkuj) dhe Taekëondo (femra dhe meshkuj) dhe nga 16 trajnerë sportivë sipas disiplinave përkatëse.

Ky delegacion shoqërohet edhe nga 2 përfaqësues të Bashkisë, të cilët mbështesin ekipet e disiplinave sportive përgjatë 4 ditëve të Eventit të madh të lojrave rinore. Përpara nisjes në Ankona kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako është takuar me sportistët e rinj duke i uruar atyre suksese në këto gara. Kryebashkiakja Sako ka biseduar me sportistët rreth këtij eventi dhe përgatitjeve të tyre ndërkohë që ka shprehur besimin në paraqitjen dinjitoze të këtyre të rinjve durrsakë në këto gara.

Mesazhi që përcollën këta sportistë të cilët shkojnë në Itali me dëshirën për fitore është se forca e rinisë dhe energjia pozitive që ata përçojne tregon që jeta dhe puna vazhdon sepse pas çdo vështirësie ka ringritje dhe Durrësi sot është më i fortë. Qëllimi kryesor i këtij projekti është të forcojë rolin e luajtur nga sporti në përfshirjen sociale dhe kohezionin brenda rajonit të Adriatikut dhe Jonit, falë fuqizimit të qyteteve dhe organizatave vullnetare.

Rrjeti i qyteteve dhe organizatave të përfshira në aktivitete me siguri do të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit, ngritjen e kapaciteteve dhe përhapjen e praktikave më të mira të sportit gjithëpërfshirës si edhe forcimin e kohezionit social dhe kulturor. Për më tëpër, nëpërmjet këtij Projekti synohet që të krijohet sinergjia dhe të forcohet lidhja, koheziviteti mes komuniteteve tona përmes gjuhës së përbashkët të sportit, si një mjet efektiv për dialog, respekt dhe bashkëjetesë, si nxitës i përfshirjes dhe kohezionit social, aktiviteteve vullnetare apo respektimit të mundësive të barabarta.

Me qëllimin për t’i paraprirë garave sportive në Eventin e madh në Ancona, klubet sportive nën mbështetjen e Bashkisë Durrës, brenda muajit Shtator 2019, kanë organizuar disa gara dhe ndeshje sportive në 3 prej disiplinave konkurruese si: Futboll, Basketboll dhe Atletikë.

Zhvillimi i këtyre lojërave sportive rinore, shënon një rast të rëndësishëm për grumbullimin dhe socializimin midis brezave të rinj të rajonit. Delegacionet e shumta sportive vijnë nga 16 vende (dhe të paktën 29 qytete) të Rajonit Adriatiko-Jonian dhe rajonit të Baltikut dhe Danubit. Delegacionet sportive të cilat vijnë nga vendet e rajonit të Adriatikut dhe Jonit garojnë në 10 disiplina të ndryshme sportive. Ndërkohë, delegacionet nga rajoni i Baltikut dhe Danubit do të përfshihen vetëm në disa gara sportive.