Kryetarja e bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka zhvilluar një takim me përfaqësues të ekipit të mbrojtjes civile të OSBE-së. Daniel Hye, Danilo Bilotta, Joshua Macabuag dhe Dustin Matzel nga Britania e Madhe, Italia dhe Franca, shoqëroheshin në këtë takim nga specialisti i emergjencave civile Arben Mollaj. Ata janë interesuar për dëmet që ka shkaktuar tërmeti në Durrës dhe sidomos për ndërtesat e pabanuara dhe urat. Kryebashkiakja Sako e ka njohur ekipin e OSBE-së me hollësi për pasojat e këtij tërmeti dhe masat që janë marrë për ti ardhur në ndihmë familjeve të prekura. Përfaqësuesit e huaj kanë shprehur gatishmërinë që ekspertët të cilët ata kanë sjellë të ndihmojnë me ekspertizat e tyre si dhe ti bashkohen grupeve të Durrësit të cilët janë në terren për konstatimet dhe vlerësimet e dëmeve. Kryebashkiakja Sako dhe ekipi i mbrojtjes civile të OSBE-së kanë hartuar një plan konkret dhe ekspertët e huaj kanë filluar menjëherë inspektimet në terren. Ata do të takohen me familjet e strehuara në kavalishencë si dhe do të vijojnë me ekspertizat në shtëpitë dhe pallatet e dëmtuar në qytet. Kryebashkiakja Sako e ka vlerësuar këtë ndihmë nga ekspertët e huaj që japin asistencën e tyre në kapërcimin e situatës së  vështirë që kalon qyteti. Ajo theksoi se asnjë qytetar i Durrësit nuk është vetëm dhe se qyteti ynë në sajë të mbështetjes qeveritare dhe ndihmës ndërkombëtare do të dalë edhe më i fortë nga kjo vështirësi aktuale.