Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Kuvajtit në Tiranë, Fayez Mishari Al-Jassim, i shoqëruar nga drejtorët e dy fondacioneve bamirëse, Korab Kaja i fondacionit “Mirësia” dhe Mirandi Shehaj i fondacionit “Udha e Besimtarëve”. Tema kryesore e bisedës ka qenë pasojat e tërmetit në Durrës ku miqtë nga Kuvajti kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së krijuar nga fatkeqësia natyrore. Kryebashkiakja Sako i ka njohur ambasadorin kuvajtjan dhe drejtuesit e fondacioneve me masat që janë marrë për përballimin e kësaj situate dhe i ka falenderuar ata për mbështetjen e ofruar në këto ditë të vështira për qytetin tonë. Sako deklaroi se qytetarët e Durrësit nuk mbetën vetëm pas kësaj fatkeqësie pasi përveç mbështetjes kombëtare dhe qeveritare, durrsakëve po ju gjenden pranë edhe ndërkombëtarët siç është edhe rasti konkret i Kuvajtit. Ambasadori Fayez Mishari Al-Jassim deklaroi se ai e do shumë Durrësin ku vjen çdo fundjavë dhe ka shprehur solidaritetin e tij për familjet e prekura nga tërmeti por edhe për të gjithë qytetarët  e Durrësit. Fondacionet “Mirësia” dhe “Udha e Besimtarëve”, të cilat kanë dhënë prej vitesh kontribut të madh në bamirësi në vendin tonë, kanë sjellë që ditën e sotme 600 pako me ushqime dhe 400 pako të tjera me batanije që do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti ndërkohë që në ditët në vazhdim do të vijnë edhe ndihma të tjera. Po kështu ata kanë marrë përsipër edhe rindërtimin e njërës nga shtëpitë e shkatëruara plotësisht. Ambasadori Fayez Mishari Al-Jassim e ka ftuar kryebashkiaken për një vizitë në ambasadën e Kuvajtit në Tiranë, ftesë të cilën kryetarja e Bashkisë Valbona Sako e ka pranuar me kënaqësi.