Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit durrsak. Tema kryesore e këtij takimi ishte mbështetja për të prekurit nga tërmeti dhe masat që po merren për kapërcimin e kësaj situate në qytetin tonë. Kryebashkiakja Sako ka shprehur bindjen se të gjithë bashkë por edhe me përkrahjen qeveritare, ndërkombëtare si dhe atë të biznesit do ta kapërcejmë situatën e krijuar. Komuniteti i biznesit durrsak ka shprehur gatishmërinë që të japë kontributin e tij për dëmet e shkaktuara nga termeti, që preku qytetin e Durrësit. Në konstatimet e bëra nga bashkia në fazën e parë janë 18 shtëpi të pabanueshme për të cilat po punohet që të rindërtohen. Komuniteti i biznesit përpos ndihmës në rindërtimin e shtëpive, kërkuoi të evidentohen dhe fuqitë punëtore në këto familje për t’i ofruar punë. Në vijim kryetarja Sako, propozon krijimin e një këshilli për biznesin ku të marrin pjesë bizneset e suksesshme dhe ato të cilët kanë dëshirë të kontribuojnë me idetë e tyre për qytetin e Durrësit. Biznesmenët durrsakë u treguan të gatshëm për të bashkëpunuar me bashkinë për të krijuar projekte në dobi të qytetit ku ata të kenë hapësirë për të kontribuar në vazhdimësi.