Stampa

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka përuruar rikonstruksionin e qendrës shëndetësore në Xhafzotaj. E transformuar dhe tërësisht me kushte moderne kjo qendër shëndetësore do të asistojë rreth 5 mijë banorë të kësaj zone. Ky rikonstruksion total u mundësua nga bashkëpunimi me rajonin Trentino Alto Adige, shoqatën “Agimi Bolzano Onlus” dhe kompaninë private Dule sh.p.k. Në fjalën e rastit kryebashkiakja Sako ka falenderuar subjektet private për mbështetjen në transformimin e kësaj qendre dhe deklaroi se modele të tilla bashkëpunimi janë të suksesshme sepse janë në dobi të banorëve. Të gjithë bashkë duhet të angazhohemi dhe të punojmë për qytetin e Durrësit duke patur si prioritet qytetarët-deklaroi Sako. Kryebashkiakja Sako ka falenderuar edhe stafin mjekësor të kësaj qendre që punojnë me përkushtim e profesionalizëm dhe tashmë do të kenë ambiente dhe pajisje cilësore për tu ardhur në ndihmë qytetarëve. Pas përurimit kryebashkiakja Sako dhe të pranishmit në ceremoni kanë inspektuar ambientet e qendrës shëndetësore duke u njohur nga afër me kushtet moderne të cilat garantojnë shërbim me standarte mjaft të mira pranë vendbanimit të tyre për të gjithë banorët e zonës.