Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në ambientet e shkollës së mesme artistike e rikonstruktuar rishtazi “Jan Kukuzeli”. Kjo ceremoni është organizuar me rastin e shpërndarjes së shpërblimeve nga Bashkia e Durrësit maturantëve të ekselencës për vitet 2017 – 2018 - 2019 dhe nxënësve të tre vendeve të para të Olimpiadave. Gjithsej janë 45 nxënës që përfituan nga ky vendim.

Të pranishëm ishin drejtorët dhe mësuesit e nxënësve ekselentë, gjithashtu dhe prindërit. Arsimi është në fokusin e Bashkisë së Durrësit dhe aktualisht ka përfunduar restaurimi i 4 shkollave dhe 3 të tjera janë në proces, ndërkohë që 3 shkolla të prekura nga tërmeti do të nisin rehabilitimin me mbështetjen e Fondacionit Vodafone dhe World Vision.

Në fjalën përshëndetëse kryebashkikja Valbona Sako deklaroi se do të bëjë maksimumin për të mbështetur përherë e më tepër nxënësit ekselentë:  “Kur je në një detyrë të rëndësishme, që u shërben kaq shumë qytetarëve, të duhet gjithashtu të përcaktosh objektivat e punës tënde. Këtë besoj e bën çdokush në jetën e përditshme, si një mësues që përgatit planin mësimor, apo një nxënës që përgatitet për orët apo provimet e radhës.

Nuk kisha asnjë dyshim, që si prind, duke njohur sakrificën e shumë prindërve të tjerë për arsimin e fëmijëve të tyre, por edhe duke pasur vetë fëmijë, vendosa që fokusin dhe vendimet e para të Bashkisë së Durrësit, t’i kushtoheshin të vegjëlve dhe nxënësve.

Përgjatë muajve të verës vendosëm fokusin e punës tonë në riparimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave, për t’u siguruar që nisja e sezonit të ri arsimor do të ishte sa më i mirë dhe të gjithë fëmijët, pavarësisht sa afër qendrës apo larg saj mësojnë, të kishin të njëjtat kushte. Mendoj që ia kemi arritur dhe për këtë falenderoj stafin e bashkisë, që shpeshherë ka punuar dhe me orë të zgjatura, apo edhe në ditë pushimi, që gjithçka të ishte gati.

Absolutisht ka ende shumë për të bërë! Ndaj jemi të gjithë këtu, jo vetëm për të ndarë disa lajme të mira që kemi për nxënësit e ekselencës, por edhe për të kërkuar bashkëpunimin tuaj që punët tona të ecin më mirë.

Dua fillimisht të falenderoj çdo mësues që ka punuar çdo ditë me pasion dhe që me përkushtimin e tyre sot ne kemi nxënës të shkëlqyer. Me kënaqësi dua të ndaj me ju lajmin e mirë se Bashkia e Durrësit ka vendosur  të japi shpërblimin e maturantëve të ekselencës për vitet 2017 – 2018 - 2019 dhe nxënësve të tre vendeve të para të Olimpiadave. Gjithsej janë 45 nxënës që do të përfitojnë nga ky vendim. Por me premtimin që unë do të bëj maksimumin për të mbështetur më shumë nxënës me 10-ta në vijim të punës sime, ndërsa ju, me përkushtimin tuaj do bëni maksimumi që të merrni notat maksimale. Dua një duratrokritje të fortë për secilin nga këta nxënës që sot na nderojnë të gjithëve.

Kam edhe një kërkesë tjetër, por që dua ndihmën e të gjithëve ju, sot një nga fenomenet më problematike në shkolla është bullizmi. Çdokush nga ju ka në dorë që të zhdukni këtë fenomen të rrezikshëm dhe askush s’duhet të diskriminohet sepse është ndryshe nga ne. Qyteti ynë mirëpret çdokënd, por edhe duhet të respektojmë çdokënd, që të kemi shkolla më të mira dhe dukuri të tilla të mos jenë të pranishme midis nesh.

Është momenti që të gjithë sëbashku të kalojmë në një tjetër marrëdhënie midis shkollave dhe bashkisë. Për këtë arsye, kemi vendosur, bashkë me ekipin tonë të bashkisë, që të ndërmarrim disa nisma, për të vendosur marrëdhënien tonë në një tjetër nivel, aty ku duhet të jetë. Shumë shpejt do të kemi një takim me senatorët e klasave për Këshillin e Nxënësve, një takim të tjetër me prindërit për të ngritur Këshillin e Prindërve, pse jo, të kemi edhe Këshillin e Mësuesve. Të gjitha këto duam që të jenë takime të përmuajshme tonat, në mënyrë që të jemi në kontakt të vazhdueshëm, të propozojmë gjërat që do të bëjnë qytetin tonë më të mirë me të rinjtë.

Nga ana jonë, do të sigurohemi që puna të vazhdojë për shkolla më të mira, shkolla të reja apo rikonstruksione të atyre ekzistuese. Ndërsa punonjësit tanë të Policisë Bashkiake sigurohen çdo mëngjes që të ndihmojnë dhe sigurojnë zonat përreth shkollave gjatë orarit të mbërritjes së nxënësve në institucionet arsimoret. Por pjesa tjetër e ditës vijon edhe me sigurinë përreth shkollave, duke liruar hapësirat publike dhe duke gjobitur këdo që shkel rregullat e vendosura për një bashkëjetesë më të mirë në qytetin tonë. Siç do kemi edhe disa vendime të tjera të rëndësishme që do të marrim dhe që do të duhet patjetër edhe ndihma juaj për të bashkëpunuar.

Kemi shumë vendime për t’u konsultuar bashkë, shumë gjëra që na bashkojnë dhe që duam për qytetin tonë, ndaj është koha që ju të mësoni dhe të merrni sa më shumë 10-të, ne të bashkisë të japim sa më shumë shpërblime dhe bashkë me ju, me prindërit dhe mësuesit të punojmë për çerdhe, kopshte dhe shkolla më të mira.”