Durrësi është kthyer në një prej destinacioneve turistike më tërheqëse në Mesdhe. Në mbledhjen e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit në kuadër të Analizimit të situatës së përfundimit të sezonit turistik 2019, u vlerësuan rezultatet e arritura dhe u ra dakord për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për të mbështetur këtë sektor tepër të rëndësishëm të ekonomisë. 

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako bashkë me Prefektin e Qarkut Durrës Roland Nasto, Zv. Ministren e Brendshme Rovena Voda, si dhe drejtues të Degëve Territoriale që veprojnë në qark për atë theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të gjithë potencialeve që ka qyteti ynë për sezonin e ardhshëm. 

Kryebashkiakja Sako nënvizoi se sezoni turistik veror që lamë pas ka qenë i suksesshëm dhe rikonfirmon turizmin si nxitësin kryesor të rritjes së ekonomisë, si një sektor me ndikim të madh social dhe ekonomik i cili ka ndryshuar pozitivisht strukturën ekonomike të qytetit.

“Është momenti që turizmin mos ta shikojmë vetëm në fushën e promovimit, por edhe si një vlerë e rëndësishme e ekonomisë.  Me ndarjen e re territoriale, Durrësi ka një potencial fantastik për turizmin, jo vetëm gjatë sezonit të verës, por gjatë 12 muajve të vitit. Si një nga prioritetet e Bashkisë sonë, do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme me qëllim zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe me impakt të drejtpërdrejtë në punësim dhe rritjen e ekonomisë lokale”, theksoi znj. Sako.