Në kuadër të nismës së Bashkisë Durrës, për realizimin e Dëgjesave Publike për PBA 2020-2022,  më datë 18 Nëntor 2019, në Kompleksin “REOM” në Njësinë Administrative Manëz,  u organizuan katër Dëgjesa Publike.

Një nga Dëgjesat Publike ishte për Paketën Fiskale që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2020-2022. Ndërsa, dy Dëgjesat e tjera kishin si qëllim prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2020-2022 për Programin “Infrastruktura rrugore” dhe Programin “Investimet në Arsim për sistemin parashkollor, Arsimin 9-vjecar si dhe atë të Mesëm” dhe një Dëgjesë ishte për projektet dhe shërbimet Sociale që janë planifikuar të zbatohen për periudhën 2020-2022 për komunitetin e Njësive Administrative Manëz, Sukth dhe Ishëm duke mirëpritur çdo propozim, sugjerim apo rekomandim nga ana e tyre.

Dëgjesat Publike u organizuan nga Sektori i Analizës së Statistikave dhe Planifikimit Afatmesëm në Drejtorinë e Politikave te Zhvillimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve dhe Punëve Publike, Drejtorinë e Shërbimebve Sociale, Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore si dhe me Drejtorinë e Arsim-Kulturë, Rini, Sporte dhe Komunitete Fetare. Në këto takime kishte një pjesëmarrje të gjërë, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga komuniteti i Njësive Administrative Manëz, Sukth dhe Ishëm, përfaqësues të grupeve të interesit, Institucioneve Arsimore, OJF që operojnë në këto Njësi Administrative, grupet këshillimore dhe Komisionet e Këshillit Bashkiak.

Gjatë Dëgjesës Publike, në pjesën e parë, pjesëmarrësit janë informuar nga z. Luan Dajko, Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore, mbi strukturën e Paketës Fiskale për periudhën 2020 – 2022 dhe rëndësinë e pagesës së taksave dhe tarifave vendore në funksion të ofrimit të shërbimeve më të mira në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës.

Në Dëgjesën e dytë, pjesëmarrësit janë njohur nga znj. Emiriana Sako, Drejtore e Përgjithëshme  e Shërbimeve Publike, lidhur me projektet dhe investimet kryesore në infrastrukturën rrugore për vitet 2020-2022 në përputhje me Programin “Infrastruktura rrugore” për Njësitë Administrative: Manëz, Ishëm dhe Sukth . Ndërsa, në Dëgjesën e tretë, z. Adrian Gurra, Drejtor  në Drejtorinë e Arsim-Kulturë-Rini-Sporte dhe Komunitete Fetare, bëri prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për Programin “Arsimi parashkollor dhe parauniversitar”, për periudhën 2020-2022 në këto Njësi Administrative. Së fundmi, pjesmarrësit u njohën me projektet dhe shërbimet sociale që Bashkia e Durrësit do të zbatojë në periudhën 2020-2022, të cilat u prezantuan nga Drejtorja e Drejtorisë së Sherbimit Social, znj. Meme Xhaferraj.

Gjatë Dëgjesave Publike pati diskutime dhe propozime nga grupet e interesit, të cilat u evidentuan për tu pasur parasysh në përcaktimin e prioriteteve në PBA 2020-2022. ​