Në vijim të nismës së Bashkisë Durrës, për realizimin e Dëgjesave Publike për PBA 2020-2022, më datë 20 Nëntor 2019, në Njësinë Administrative Rrashbull,  u organizuan katër Dëgjesa Publike.

Një nga Dëgjesat Publike ishte për Paketën Fiskale që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2020-2022. Ndërsa, tre Dëgjesat e tjera kishin si qëllim prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2020-2022 për Programin “Infrastruktura rrugore”, për Programin “Investimet në Arsim për sistemin parashkollor, Arsimin 9-vjecar dhe atë të Mesëm” si dhe “Projektet për Shërbimet Sociale” për komunitetin e Njësive Administrative Rrashbull dhe Katundi i Ri, duke mirëpritur çdo propozim, sugjerim apo rekomandimin nga ana e tyre.

Dëgjesat Publike u organizuan nga Sektori i Analizës së Statistikave dhe Planifikimit Afatmesëm në Drejtorinë e Politikave të Zhvillimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve dhe Punëve Publike, Drejtorinë e Shërbimeve Sociale, Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore si dhe me Drejtorinë e Arsim-Kulturë, Rini, Sporte dhe Komunitete Fetare.

Në këto takime kishte një pjesëmarrje të gjërë, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga të gjitha fshatrat e Njësive Administrative Rrashbull dhe Katundi i Ri, përfaqësues të grupeve të interesit, Institucioneve Arsimore, Shëndetsore etj. OJF që operojnë në këto Njësi Administrative, grupet këshillimore dhe Komisionet e Këshillit Bashkiak.

Gjatë Dëgjesës Publike, në pjesën e parë, pjesëmarrësit janë informuar nga z. Luan Dajko, Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore, mbi strukturën e Paketës Fiskale për periudhën 2020 – 2022 dhe rëndësinë e pagesës së taksave dhe tarifave vendore në funksion të ofrimit të shërbimeve më të mira në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës.

Në Dëgjesën e dytë, pjesëmarrësit janë njohur nga znj. Emiriana Sako, Drejtore e Përgjithshme   e Shërbimeve Publike, lidhur me projektet dhe investimet kryesore në infrastrukturën rrugore për vitet 2020-2022 në përputhje me Programin “Infrastruktura rrugore”në Njësitë Administrative Rrashbull dhe Katundi i Ri.  Ndërsa, në Dëgjesën e tretë, znj. Meme Xhaferraj, Drejtore e  Shërbimeve Sociale, bëri prezantimin mbi projektet e Shërbimeve Sociale për vitet 2020-2022. Së fundmi, z. Adrian Gurra, Drejtor në Drejtorinë e Arsim-Kulturë-Rini-Sporte dhe Komunitete Fetare, bëri prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për Programin “Arsimi parashkollor dhe parauniversitar”, për periudhën 2020-2022, pikërisht në keto dy Njesi Administrative.

Gjatë Dëgjesave Publike pati diskutime dhe propozime nga grupet e interesit, të cilat u evidentuan për t‘u pasur parasysh në përcaktimin e prioriteteve në PBA 2020-2022.