Në kuadër të nismës së Bashkisë Durrës, për realizimin e Dëgjesave Publike për PBA 2020-2022,  më datë 22 Nëntor 2019, në sallën e Këshillit Bashkiak në Bashkinë Durrës,  u organizua  Dëgjesa Publike për Paketën Fiskale që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2020-2022 me biznesin , ekspertët kontabël dhe përfaqësues të Këshillit Bashkiak duke mirëpritur çdo propozim, sugjerim apo rekomandim nga ana e tyre.

Dëgjesat Publike u organizuan nga Drejtoria e Politikave të Zhvillimit, Sektori i Analizës Statistikave dhe Planifikimit Afatmesëm, në bashkëpunim me Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore.

Dëgjesën Publike për Paketën Fiskale e hapi Drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit Financiar, z. Ermal Lufo, i cili foli mbi rëndësinë e zhvillimit të Dëgjesave Publike në nivel ekspertësh kontabiliteti për  hartimin dhe diskutimin e  Paketës Fiskale.

Gjatë Dëgjesës Publike, pjesëmarrësit janë informuar nga z. Luan Dajko, Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore, mbi strukturën e Paketës Fiskale për periudhën 2020 – 2022 dhe rëndësinë e pagesës së taksave dhe tarifave vendore në funksion të ofrimit të shërbimeve më të mira në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës, ecurinë e të ardhurave në vite të Bashkisë nga taksat e tarifat si dhe prezantoi problemet lidhur me menaxhimin e taksave tarifave nga administrata e Bashkisë, problemet që lidhen me sistemin e faturimit dhe mbledhjes së të ardhurave, problemet me pagesën e ulët të detyrimeve sidomos nga familjet,(taksat e popullatës, taksa e pasurisë), problemet me nivelin e informimit etj. Për ta konkretizuar në mënyrë sa më të qartë nivelin e dinamikës së taksave në Bashkinë Durrës, është bërë paraqitja në mënyrë grafike dhe me tabela e të gjitha ndryshimeve për të bërë sa më reale dhe konkrete nivelin e taksave për çdo faktor.

Gjatë Dëgjesave Publike pati diskutime dhe propozime nga ekspertët kontabël dhe përfaqësues të Këshillit Bashkiak, të cilat u evidentuan për tu pasur parasysh në përcaktimin e prioriteteve në PBA 2020-2022. ​