Stampa

Shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Selanik të Greqisë kanë grumbulluar një sasi të konsiderueshme ndihmash për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Kamionët me ndihma janë nisur nga parku “Durrësi” që ndodhet në Selanik për të mbërritur në parkun “Selaniku” të Durrësit, simbolikë miqësie midis Durrësit e Selanikut të cilët janë binjakëzuar vite më parë. Nismën për ndihmat në krevatë, dyshekë, batanije, veshmbathje dhe ushqime e ka ndërmarrë Komuniteti Shqiptar i Selanikut, shoqatë që bashkon shqiptarët e atij qyteti dhe e krijuar enkas për këto misione bamirësie. Përfaqësuesit e këtij komuniteti që shoqëronin kamionët me ndihma janë pritur nga nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri i cili shprehu mirënjohjen e Bashkisë dhe të qytetarëve durrsakë për solidaritetin e treguar nga shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe në të gjitha vendet e tjera: “Ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë shqiptarëve anembanë botës që na kanë ardhur në ndihmë. Edhe në rastin konkret kemi pritur vëllezërit tanë që jetojnë në Selanik të cilët janë bërë të gjithë bashkë dhe kanë sjellë ndihma për familjet e prekura nga tërmeti. Gjej rastin të falenderoj shqiptarët e Selanikut dhe të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë nëpër botë sepse na janë gjendur pranë dhe na kanë ndihmuar në këto ditë të vështira.” Kreu i shoqatës Komuniteti Shqiptar i Selanikut, Dr. Luan Zyka deklaroi se këto ndihma kanë edhe vlerë të madhe shpirtërore se i kanë bërë bashkë shqiptarët për të ndihmuar vëllezërit e gjendur në vështirësi: ”Në Selanik jetojnë mijëra shqiptarë dhe sapo dëgjuam për tërmetin e tmerrshëm që kishte ndodhur në Shqipëri ne u mblodhëm dhe krijuam komunitetin shqiptar të Selanikut me synim të vetëm që të ndihmojmë vëllezërit tanë në Shqipëri e sidomos në Durrës që ka dhe një binjakëzim me bashkinë e Selanikut. Ndihmat janë dhënë kryesisht nga shqiptarët e Selanikut por na kanë ndihmuar edhe tifozët grekë të Aris e Paokut, bashki dhe institucione greke, kisha si edhe shumë grekë të thjeshtë. Këto ndihma kanë një vlerë të madhe shiprtërore sepse janë dhënë me gjithë zemër nga mijëra shqiptarë e grekë të Selanikut. Ashtu si shqiptarët e Selanikut edhe shqiptarët e tjerë kudo ku ata ndodhen janë bashkuar për të ndihmuar vëllezërit e tyre ndaj edhe në kamionët e ndihmave ne kemi vënë shprehjen e Nolit “Nënë mos ki frikë se ke djemtë në Selanik”, Noli e ka thënë në Amerikë por ne e vendosëm në Selanik sepse shqiptarët kudo ku jetojnë janë bërë bashkë për të ndihmuar.” Në grupin që shoqëronin ndihmat deri në Durrës ishin edhe përfaqëues të tjerë të Komunitetit Shqiptar të Selanikut si prifti shqiptar që shërben në Selanik At Artem Cici, Anesti Çaprazi, Anila Rezhda etj.