Të dhënat më të fundit në lidhje me situatën e deritanishme që ka qenë në fokusin e diskutimeve në mbledhjen e fundit të shtabit të emergjencave të Durrësit:

-Aktualisht në hotele ndodhen 1231 persona(rreth 380 familje) nga 3000 persona që ishin të strehuar në dhjetor, por kjo shifër përditësohet vazhdimisht.

-Në Bashkinë Durrës ka 589 familje që jetojnë në çadra, ose 2387 persona gjithsej. Sot të gjitha familjet jetojnë në çadra dimërore.

-IKMT-ja ka vijuar me prishjet e objekteve në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Bashkinë Durrës. Ditët e fundit janë prishur 7 objekte 1-katëshe në zonën e ish kënetës. Pas prishjes së objekteve do të vijohet me pastrimin e inerteve.

-Deri më sot janë miratuar 40 leje të përshpejtuara për riparimin e objekteve si pasojë e tërmetit. Pas përfundimit të punimeve vetëm në këto 40 objekte do të rikthehen 1259 familje të prekura nga tërmeti. Kryesisht dëmtimet janë të nivelit DS3 dhe DS2.  Objektet me DS4 janë referuar pranë Institutit të Ndërtimit për akt ekspertizë të thelluar.

-Ka edhe 11 miratime për riparime leje objektesh shërbimi (4 hotele, objekte shërbimi të ndryshme, institucion QKF, call center).

- Në lidhje me bonusin e qerasë, nga listat paraprake me 3863 emra, 2200 prej tyre kanë kaluar për likujdim në drejtorinë ekonomike. Ndërkaq vijon shqyrtimi i dokumentacionit për pjesën tjetër të këtyre listave. Ky është një proces i vazhdueshëm që përditësohet ndërkohë vijojnë aplikimet e reja.