Është zhvilluar mbledhja e radhës e Shtabit të Emergjencave të Qarkut Durrës nën drejtimin e kreut të këtij shtabi zv/ministres së Brendshme Rovena Voda. Kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj theksoi se stafi i bashkisë po vijon punën me orare të zgjatura për të përshpejtuar punën në procesin e bonusit të qirasë, procesin e rindërimit, dhënien e lejeve të përshpejtuara me qëllim rikthimin e familjeve sa më shpejt në shtëpitë e tyre.

Nga 6 janari deri sot, në bashkinë  Durrës  2496 familje po marrin në bankë bonusin e qirasë. Ndërkohë puna vijon për miratimin e aplikantëve të tjerë. Në dy listat paraprake të miratuara deri tani nga këshilli bashkiak janë gjithsej 3863 emra ndërkohë që vijojnë aplikimet e reja.

Aktualisht në hotelet e qytetit të Durrësit rezultojnë të akomoduar 590 persona (175 familje) nga 3000 persona që ishin të strehuar në dhjetor. Puna ka ecur edhe me miratimin e lejeve të përshpejtuara ku deri më sot Bashkia e Durrësit ka miratuar 58 leje të tilla për riparimin e objekteve si  pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile. Kryesisht dëmtimet janë të nivelit DS3 dhe DS2. 1541 familje do të rikthehen në shtëpitë e tyre pas përfundimit të rikonstruksionit të këtyre pallateve.

Në mbledhjen e shtabit të emergjencave ishin të pranishëm edhe prefekti Roland Nasto, zv/ministrja Ornela Çuçi, drejtori i policisë së qarkut Lorenc Shehu, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako, koordinatori i Zyrës së Bashkëqeverisjes Ernest Pupla si dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Durrës.