Europe House në bashkëpunim me Bashkinë Durres- këndin e BE-së, kanë organizuar shfaqjen e filmit "DELEGACIONI" në pallatin e kulturës “A.Moisiu” në Durrës. “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit dhe skenar të të ndjerit Artan Minarolli, ka arritur të fitojë çmimin e madh “Grand Prix” në Varshavë dhe vlerësimin si “Filmi më i mirë i gjatë” në Festivalin e Triestes. Gjithashtu ishte filmi i përzgjedhur nga Komisioni i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për të përfaqësuar Shqipërinë në “Oscar” në kategorinë për “Filmin Artistik Ndërkombëtar më të mirë” në AMPAS. Në këtë film aktori i madh Xhevdet Feri ka luajtur rolin e tij të fundit. Në këtë event ka marrë pjesë edhe kryetari në detyrë i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj i cili deklaroi se kjo është një ditë e veçantë për publikun durrsak para të cilit projektohet një film i suksesshëm. Po kështu Varfaj me këtë rast ka përkujtuar edhe aktorin e madh Xhevdet Feri si dhe regjisorin Artan Minarolli, për të cilët u mbajt  një minutë heshtje në shenjë kujtimi e respekti: “Dëshiroj të falenderoj Shtëpinë e Europës, dhe këndin e BE-së në Durrës, që realizuan këtë projeksion. Kjo është një ditë e vecantë për publikun e Durrësit! Projektohet një film shumë i suksesshëm shqiptar. Dhe ky është gjithmonë një lajm i bukur! Por ka edhe një të vecanti tjetër që vjen bashkë me “Delegacionin”. Me rolin e tij të fundit, rikthehet simbolikisht në vendlindje Xhevdet Feri, aktori që i dha kinematografisë e teatrit role të papërsëritshme, durrsaku që i dha qytetit të lindjes, krenarinë që vetëm qytetarë të denjë e të fisëm si ai, mund t’ia falin! Do të kishim dashur që Xhoda të ishte këtu e të fliste për filmin. Por artistët kanë fatin e madh që edhe kur largohen të jenë sërish mes njerëzve me veprën që lënë. Ashtu Xhoda sot i vjen Durrësit e  po ashtu edhe kineasti Artan Minarolli. Të dy tashmë i takojnë qiellit, por filmat e tyre na takojnë ne. Më lejoni t ju ftoj që të gjithë së bashku të mbajmë një minutë heshtje në shenjë kujtimi dhe respekti të thellë  për Xhodën dhe Minarollin.” Aktivitetin e ka përshëndetur edhe përfaqësuesi i Europe House, Betim Dibrani, i cili deklaroi se të tilla evente do të vazhdojnë të zhvillohen në Durrës. Filmi “Delegacioni” është shfaqur në shumicën e festivaleve ndërkombëtare dhe madje, edhe në festivalet e Kategorisë A. Aktorët që luajnë janë: Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Xhevdet Feri, Kasem Hoxha, Richard Sammel, Rovena Lule, Bislim Muçaj, Tristan Halilaj, Mehmet Xhelili, Jorgaq Tushe, Lulzim Zeqja, Selman Lokaj, Armando Dauti etj. Filmi “Delegacioni” është shfaqur në shumicën e festivaleve ndërkombëtare dhe madje, edhe në festivalet e Kategorisë A. Duhet theksuar se filmat e Alimanit kanë shumë të fortë elementin historik: jo si rrëfim kohor, por si një dëshmi e zhvillimeve social-politike të kohës, qoftë asaj të shkuar, ashtu edhe asaj të tashme. Madje, filli i hollë që ndan aspektin kohor në filmat e tij thuajse harrohet gjatë shikimit të filmit, pasi në fakt situatat shpesh janë aktuale, siç është rasti në filmin “Delegacioni”. Ky film është bashkëprodhim në mes të Shqipërisë (Art Film shpk), Kosovës (Bleri Production), Francës (Zorba production) dhe Greqisë (Graal Films).