Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvilim(BERZH) dhe qeveria shqiptare kanë filluar zbatimin e programit të financuar nga BE “Programi i turizmit për zhvillimin ekonomik lokal”, me objektiv kryesor përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe rritjen ekonomike në Shqipëri përmes zhvillimit të turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm, duke i ardhur në ndihmë bizneseve të vogla dhe të mesme në sektorin e turizmit. Në eventin e prezantimit të këtij program që u zhvillua në një nga resortet e bregdetit të Durrësit merrnin pjesë ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, kreu i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj, drejtori i BERZH për Shqipërinë Matteo Colangeli, përfaqësues të BE, drejtues të FZHSH, përfaqësues të biznesit në sektorin e hoteleri turizmit etj.

Ministri Klosi e vuri theksin tek rëndësia e zhvillimit të industrisë së turizmit në Shqipëri ku jep ndihmesën e tij edhe ky program i financuar nga BE: “Ky projekt është shumë i rëndësishëm pasi nëpërmjet këtij bashkërendimi të fondeve të Qeverisë shqiptare dhe fondeve të ardhura si kredi nga Banka për Zhvillim Evropian, por dhe nga fondet që vijnë si grande nga Bashkimi Evropian ne do të kemi shumë mundësi që ti investojmë në dy aspekte. E para shumë e rëndësishme, infrastruktura. Jam këtu për të vazhduar të bëjë avokatin e hotelierëve të zonës së Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës, pra Durrës-Kavajë për rrugën dytësore dhe për përfundimin e gjithë rrugëve të brendshme të këtij destinacioni.  Ndërsa kreu i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj, theksoi se objektivi kryesor është që Durrësi, si qyteti me asetet më të mëdha turistike në vendin tonë, të jetë jo vetëm destinacion veror por edhe një destinacion gjithëvjetor i turizmit kulturor:

“Ky program merr një rëndësi të veçantë për qytetin e Durrësit, me vijën më të gjatë bregdetare, me Portin me të madh në vend dhe me rrjetin kryesor hekurudhor, shërben si një nyje kryesore e cila mundëson aksesin në nivel kombëtar duke mbajtur gjithmonë fluksin më të madh të akomodimit dhe shërbimit të turistëve të huaj dhe vendas. Kështu duke shërbyer si nyja kryesore në vend, kjo e ka kthyer Durrësin jo vetëm një destinacion veror për plazh, por edhe një destinacion gjithëvjetor të turizmit kulturor, ku mesatarisht për vitin 2018 numërohen mbi 420,000 turistë (vendas dhe të huaj), ndërsa për vitin 2019 mbi 431,000 turistë (vendas dhe të huaj).

Bashkia Durrës, bazuar në Strategjinë Territoriale (2015-2030), synon ta kthejë Durrësin në Vitrinën e Shqipërisë për vizitorët e kroçerave. Madje, vitet e fundit ka pasur një rritje të numrit të kroçerave dhe jahteve të ankoruara në Portin e Durrësit, rrjedhimisht është shënuar edhe një rritje e numrit të vizitorëve/turistëve të ardhur me kroçera apo jahte. Kështu, për vitin 2018 janë ankoruar 406 kroçera dhe jahte si edhe numërohen 5,073 vizitorë, ndërsa për vitin 2019 janë ankoruar 855 kroçera dhe jahte dhe numërohen 8, 261 vizitorë.

Për sa më sipër, me objektivin kryesor strategjik rritjen e fluksit të vizitorëve në qytetin e Durrësit, dhe duke konsideruar zhvillimin e turizmit cilësor si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik vendor, turizmi në Durrës duhet të orientohet gjithnjë e më shumë drejt ndërlidhjes së sektorëve të shërbimeve/produkteve të turizmit, trashëgimisë kulturore dhe turizmit kulturor. Ndaj ky program financimi, do të mbështeste realisht të gjithë bizneset që operojnë në sektorin e turizmit, duke i nxitur akoma edhe me shumë këta të fundit të ofrojë shërbime apo produkte turistike cilësore, të cilat përkthehen në rritjen e ekonomisë lokale.

BERZH do të menaxhojë Programin dhe do të hartojë një strukturë plotësuese të huasë deri në 60 milion EUR për të bashkëfinancuar, së bashku me grantet e BE-së, prej 40 milionë Euro në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Buxheti i përgjithshëm i Veprimit: 105 milion EUR (përfshirë 40 milion EUR si kontribut i BE-së, ndërsa BERZH do të sigurojë burime shtesë deri në 60 milion Euro nën garanci sovrane dhe 5 milion Euro për kredi të vogla për NVM-të përmes institucioneve financiare lokale).