Është zhvilluar në Durrës maratona “Një hap për Durrësin”, pranë sheshit “Liria”, aty ku dhe ka startuar vrapimi. Ky marshim sensibilizues i organizuar nga atletja durrsake Deborah Keçi dhe mbështetur nga Bashkia e Durrësit kishte një itinerar prej 5 km. Eventi ka startuar përpara pallatit të kulturës “A.Moisiu” ku u zhvillua ceremonia e hapjes dhe nisi gara që përshkoi bulevardin dhe disa rrugë kryesore të Durrësit për të përfunduar sërish në sheshin Liria ku u zhvillua edhe ceremonis e ndarjes së medaljeve të fituesve si dhe një koncert live për qytetarët. “Një Hap për Durrësin” ishte një vrapim sensibilizues dhe jo një garë e mirëfilltë. Më shumë se çdo here tjetër kishte shumë pak rendësi nëse ecën apo vrapon, nëse arrin i pari apo i fundit, për sa kohë bëhemi bashkë dhe hedhim një hap përpara. Të ardhurat e grumbulluara nga kjo maratonë do të shkojnë për rikonstruksionin e një shkolle të dëmtuar nga tërmeti. Me këtë moto qindra sportistë e qytetarë nga Durrësi, nga i gjithë vendi, nga Kosova por edhe të huaj vrapuan në një aktivitet që nuk ishte vetëm sportiv e sensibilizim për një jetë aktive, por edhe një solidarizim për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti. Fituesit e kësaj maratone ishin Elsuida Loca për femra dhe Haxhi Berisha për meshkuj. Në këtë event kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme si nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri, zv/ministri i arsimit, Olti Rrumbullaku, rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Kseanela Sotirofski, drejtoresha e zyrës vendore arsimore, Jonida Matohiti, drejtori i autoritetit portual, Pirro Vengu, atletja kampione Luiza Gega, kreu i sindikatës së futbollistëve, Andi Lila, të cilët u kanë dhënë edhe medaljet fituesve të kësaj maratone.